Kasami: Poroji e ka dëshmuar me vepra se është mburojë e shqiptarisë, veçanërisht me jetësimin e universitetit

Shpërndaje

Sot në fshatin Poroj të Tetovës ka vazhduar karvani i takimeve të Lëvizjes Besa. I pranishëm ka qenë kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe kandidatët për deputetë.

Kasami para banorëve ka shpalosur programin politik të koalicionit ”Mundemi”. Ai njëherit ka përgëzuar banorët e Porojit, duke e cilësuar këtë fshat si mburojë e shqiptarisë në historinë e politikës shqiptare në Maqedoni.

”Ne, sot, këtë karavan të zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut e nisëm me një skaj tjetër të Tetovës. Nga Reçica dhe po vazhdojmë këtu nga Poroji dhe Xhepçishti të cilët kanë qenë mburoja e Tetovës, por jo vetëm, kanë qenë edhe mburojë e shqiptarisë në gjithë këto vite. Edhe në komunizëm, por edhe në tranzicion dhe këtë e keni dëshmuar me shumë e shumë vepra dhe veçanërisht me jetësimin e universitetit të Tetovës. Më lejoni që nga ky moment t’ju përgëzojë për të gjithë këtë përkushtim kombëtar dhe të gjithë këtë përkushtim qytetar që e keni pasur”, ka theksuar Kasami para banorëve.

Kasami ka vlerësuar rolin e këshilltarëve të Lëvizjes Besa, atë të Hatije Etemit dhe Basri në Komunën e Tetovës, që si këshilltar opozitar kanë reflektuar me punën e tyre.