Për shkak të pandemisë, bankat evropiane do të humbin deri 800 miliardë euro

Shpërndaje

Bankat evropiane do të humbin deri 800 miliardë euro në kredi gjatë tre viteve të ardhshme dhe do të ulin të ardhurat për 30 miliardë euro për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi i ri, kumtoi firma konsultante “Oliver Vajnamn”.

Sipas skenarit fillestar të kompanisë, ekonomia do të rikuperohet ngadalë dhe kreditë “e këqija” do të rriten në 400 miliardë euro, që është 2,5 herë më shumë se tre vite më parë.

Ndërsa skenari i keq, i cili përfshin valën e dytë të pandemisë, numrat dyfish do të rriteshin, ndërsa pjesa e kredive “të këqija” do të arrinte 10 për qind të kredive të përgjithshme.

“Edhe pse nuk është e sigurtë se pandemia do të sjellë pasoja shumë serioze për sektorin bankar, numër i madh i bankave do ta gjejnë veten në pozitë të palakmueshme me shumë pak kthim të parave”, deklaroi një nga drejtorët për analizën e sektorit të shërbimeve financiare evropiane në “Oliver Vajman”, Kristian Edelman.

Ai gjithashtu rikujtoi që bankat evropiane kanë kaluar periudhë të vështirë pasi janë rikuperuar nga kriza e fundit financiare në vitin 2008, dhe se për një dekadë kanë pasur përfitim të ulët për shkak të konkurrencës së madhe në treg.

Mesatarisht, bankat evropiane janë dy herë më pak fitimprurëse sesa bankat amerikane. Pesë bankat më të mëdha në SHBA, regjistruan mbi 55 miliardë dollarë humbje të mundshme të kredive në gjashtë muajt e parë të vitit.

Pandemia e Kovid-19, gjithashtu, do të ketë ndikim negativ në të ardhurat e bankave evropiane, kryesisht për shkak të normave jashtëzakonisht të ulëta të interesit afatgjatë.

Të ardhurat, pas humbjeve të pritura të kredive këtë vit, mund të zvogëlohen me 180 miliardë euro në 385 miliardë euro, nëse shmangin mbylljen. Rimëkëmbja nuk pritet para vitit 2022, kur të ardhurat prej 535 miliardë do të vazhdojnë të jenë më të ulëta për 30 miliardë euro, vlerëson “Oliver Vajnam”.

Sipas parashikimeve, të ardhurat neto nga interesi, vitin e ardhshëm do të ulen me tetë për qind në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa kështu do të goditen veçanërisht bankat që nuk kanë investime bankare ose menaxhim të pronave.