Albin Kurti: më 2 shtator po përgatitet marrëveshje e keqe për Kosovën

Shpërndaje

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter ka akuzuar amerikanët se po përgatitin një marrëveshje të keqe për Kosovën më 2 shtator në Vashington.

Kurti citon ish këshilltarin për siguri të Presidenti Tramp, John Bolton i cili kohë më parë ka thënë se ideja për shkëmbim të territoreve ka ardhur nga Presidentët Thaçi-Vuçiç.

Kurti e ka quajtur “shqetësues” njoftimi e Richard Grenellit, emisar i posaçëm për Kosovën dhe Serbinë i presidentit amerikan, Donald Trump, “se më 2 shtator, vetëm dy muaj para zgjedhjeve në SHBA, do të zhvillohen negociata në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti më poshtë ka dhënë argumentet e tij për tezën e shtruar.

“Fillimisht, mungon besueshmëria dhe transparenca. Ideja e ‘shkëmbimit territorial’ është mohuar vazhdimisht, por është dëshmuar se ekziston nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, ambasadori John Bolton, i cili ka thënë se ideja ka ardhur nga dy presidentët (Thaçi & Vuçiq). Kjo ka dëmtuar besimin në këtë proces”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Sipas tij mungojnë njohuritë rreth çështjes. Për të Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i cili as nuk është në konflikt që të ketë nevojë për marrëveshje për paqe, dhe as nuk ka status të pazgjidhur, që kërkon negociata, thotë Kurti për së dyti.

“Së treti, koha dhe dedikimi. Një marrëveshje për normalizim me Serbinë kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve, rrjedhimisht një proces të gjatë. Me zgjedhjet presidenciale në nëntor, është e qartë se rëndësia nuk qëndron te përmbajtja e marrëveshjes, por te nënshkrimi në fund të saj”, ka shkruar kreu i VV’së.

Ish kryeministri Kurti ka theksuar se “Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërshtetërore, por se kjo duhet të ndodhë nëpërmjet një dialogu të përgatitur mirë. Lidhja dhe besnikëria e Kosovës me Shtetet e Bashkuara mbetet e pathyeshme, por shtytja drejt marrëveshjeve të këqija për hir të një fushate politike është e gabuar”, ka përfunduar Albin Kurti