EKSLUZIVE / Qeveria e re votohet të dielën, ja kush janë ministrat

Shpërndaje

Qeveria e re LSDM-BDl pritet të votohet të dielën pasi dy partitë politike kanë arritur të harmonizojnë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Emrat e kandidatëve të BDl-së mbeten të njëjtë, siç edhe i kumtoi ditë më parë lideri i partisë, Ali Ahmeti.

Kështu, Fatmir Besimi do të drejtojë Ministrinë e Financave, Bujar Osmani të Punëve të Jashtme, Artan Grubi zv/kryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik, Naser Nuredini i Ekologjisë, Kreshnik Bekteshi i Ekonomisë dhe Jeton Shaqiri i Ministrisë së Administratës dhe Shoqërisë Informatike.

“Kjo skuadër gëzon mbështetjen e gjithë grupit tone parlamentar”, ka thënë Ahmeti, duke lënë të nënkuptohet se janë hekurosur dallimet që kishin degë të Shkupit lidhur me përzgjedhjen kadrovike.

Kreu i BDl-së Ahmeti ka thënë se debatet edhe për formacionin qeverisës janë pjesë e asaj që ai e quajti funksionim i demokracisë së brendshme partiake.

Zaev, ndërkaq, për Ministër të Punëve të Brendshme ka propozuar Oliver Spasovski, të Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, të Drejtësisë Bojan Mariçiq, të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Bocvarski, Jagoda Shahpaskan për ministre të Punës dhe Politikës Sociale, Irena Stefkovskën për Ministre të Kulturës, Venko Filipçe për ministër të Shëndetësisë, Milla Carovska në Ministrinë e Asimit dhe Shkencës, Nikolla Dimitrov për zëvendëskryeministër i angazhuar për Çështje Evropiane, Fatmir Bytyçi për zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, ndërsa Ljupço Nikollovski për zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit.

Ndërkohë që Ministri i Vetëqeverisjes Lokale do të caktohet nga radhët e PLD-së, BESA Bilall Kasamit do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, ku është kandiduar Arjanit Hoxha.

Një javë më parë lideri i LSDM-së Zoran Zaev dhe kryetari i BDl-së Ahmeti njoftuan se është arritur marrëveshje për formimin e shumicës parlamentare, formimin e qeverisë së re dhe ndarjen e ministrive. Marrëveshjen e arritur për koalicionin qeveritar ndërkohë e konfirmuan organet më të larta të të dyja partive.

“E saktësuam dhe konfirmuam kornizën për bashkëpunimin e ardhshëm mes LSDM-së, koalicionit “Mundemi” dhe BDl-së, është arritur marrëveshje koalicioni për krijimin e shumicës parlamentare, për ndarje të përgjegjësive, përbërjes dhe parimeve të qeverisë së re me mandat të plotë e cila në katër vitet e ardhshme do të punojë me përkushtim për interesat e qytetarëve dhe të shtetit”, ka thënë Zoran Zaev i cili do ta udhëheqë qeverinë në katër vitet e ardhshme.

Lideri i LSDM-së tha se veçanërisht e rëndësishme për ta ishte arritja e marrëveshjes së shpejtë për koalicion qeveritar për shkak të nevojës për vendosje të shpejtë në funksion të institucioneve kyçe në shtet, e me qëllim përballjen me sfidat shëndetësore dhe me të gjitha sfidat tjera në lidhje me Covid-19.

Zaevi paraqiti një pjesë të parimeve të qeverisë së re, të cilën do të udhëheqë me mandat të plotë katërvjeçar.”Lufta kundër koronavirusit do të jetë prioritet në punën e qeverisë, sikur edhe standardi ekonomik, rritja e pagave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jemi pajtuar për forcimin e sistemit të drejtësisë, hetimin e pasurisë së funksionarëve dhe të kaluarën e tyre”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Sipas marrëveshjes qeveria do të drejtohet edhe nga një shqiptar në fund të mandatit, në 100 ditët e fundit para mbajtjes se zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Qeveria e Përzhinës më nuk do të funksionojë për shkak të problemeve në të kaluarën. Por kur vijnë zgjedhjet, të gjitha partitë duhet të ndjehen të barabarta, kështu që LSDM-ja do të pranojë që 100 ditë para zgjedhjeve, me propozim të BDl-së, të zgjidhet një kryeministër i ri”, është shpreh Zaev.

Në zgjedhjet e 15 korrikut LSDM-ja e Zoran Zaevit (42) në koalicion me BESA-n e Bilall Kasamit (4) ka fituar 46 deputetë në kuvend, BDl-ja 15, koalicioni ASH-AAA i Ziadin Selës dhe Afrim Gashit 12, Levica e Dimitar Apasievit 2 dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit 1 deputet.