Ende nuk dihet nëse do të vazhdojë mbledhja për zgjedhje të Kryetarit të Kuvendit

Shpërndaje

Nëse sot në Kuvend parashtrohet propozimi me nënshkrime prej së paku 20 deputetëve, mund të pritet kryesuesi Talat Xhaferi, i cili njëherit duhet sërish të zgjidhet kryetar i shtëpisë ligjvënëse, të caktojë vazhdim të mbledhjes konstituive.

Të gjitha grupet e deputetëve jozyrtarisht janë njoftuar se vazhdimi i mbledhjes mund të caktohet sot në mesditë. Por, është e paqartë nëse do të mbahet vazhdimi i mbledhjes konstituive dhe nuk ka informata zyrtare nëse janë mbledhur nënshkrimet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Gjatë ditës së djeshme pati bisedime mes grupeve të deputetëve, por disa mediume shkruan se problemi është mes deputetëve të BDl-së për shkak të ndarjes së resorëve.

Sipas marrëveshjes mes LSDM-së dhe BDl-së, në këtë funksion sërish do të propozohet spikeri i deritanishëm, Talat Xhaferi. Sipas informatave nga Kuvendi, deputetët dje mblodhën nënshkrime për propozimin që Xhaferi të jetë edhe një mandat në krye të Kuvendit.

Mbledhjen për zgjedhje të Xhaferit e paralajmëroi lideri i BDl-së, Ali Ahmeti të mërkurën, gjatë kumtimit të vendeve ministrore në takimin partiak të kryesisë më të lartë.

Me zgjedhjen e Xhaferit duhet edhe të zyrtarizohet shumica në Parlament pas marrëveshjes së arritur për koalicion qeveritar mes LSDM-së dhe BDl-së, ndërkaq në të cilën hyjnë partitë nga koalicioni “Mundemi” dhe PDSH e Menduh Thaçit. Sipas numrit, shumica në pushtet do të kishte 62 deputetë.

Kryetari i Kuvendit zgjedhet me së paku 61 vota nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Pas zgjedhjes, kryetari i Kuvendit në ditët në vijim do të duhet të caktojë edhe mbledhje për zgjedhje të Qeverisë së re të cilën do ta kryesojë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Afati për parashtrim të propozimit për zgjedhje të Qeverisë së re është 2 shtatori.