”Shkuma party” në bregdet/ Mjekët apel të rinjëve: Miqësohuni me natyrën

Shpërndaje

Edhe pse jemi në sezonin e verës dhe plazhi është vendi më i preferuar nga të gjithë, festat në bregdet, shkuma parti me muzikë, pa asnjë distancim dhe masa anti-covid që as respektohen mes të rinjve është panorama që mjekët nuk duan. Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo ka një mesazh të fortë për të rinjtë, të cilët duket se kanë harruar se Covid-19 është mes nesh.

Mjeku i cili është çdo ditë mes pacientëve të prekur në spitalin infektiv të Tiranës thotë se të rinjtë duhet të shpenzojnë më pak kohë në bare e klube dhe le të miqësohen edhe me shumë me natyrën. ”Rrezikoni shëndetin tuaj por jo pak edhe atë të prindërve, të afërmve dhe miqve tuaj. Jeta është e pakthimtë, e paçmimtë dhe shumë me vlerë. Kemi më shumë shtrime të të rinjve në mjediset tona por edhe jo pak humbje jetësh në mesin e tyre”.

Edhe mjekja Migena Qato e ka një apel për të rinjtë. ”Ditët e fundit kanë qenë jo të lehta për ne, pasi numri i rasteve është shtuar në mënyrë të konsiderueshme dhe jo vetëm kaq. Tani dominojnë për fat të keq edhe mosha të reja, të cilat kanë qenë të paprekura nga sëmundje të tjera më parë. Ndaj apeli shkon që të jemi shumë të kujdesshëm, të ruajmë distancën sociale, sepse tani Covid-19 nuk ka më preference në moshë, nuk po kursen asnjë subjekt të popullatës. Ndaj jeni të kujdesshëm, mbroni veten tuaj dhe të afërmit”.