Albin Kurti: Nuk do ta respektoj marrëveshjen e Washingtonit kur të kthehem në detyrë

Shpërndaje

Nëse Vetëvendosje kthehet në qeverisje nuk do ta respektojë marrëveshjen e Washingtonit të arritur në Shtëpinë e Bardhe më 4 shtator. Deklarata është bërë sot nga kreu i VV-së Albin Kurti, që e cilëson marrëveshjen ilegjitime.

Kreu i VV thekson se vetëm dialogu parimor dhe i përgatitur mirë çon në marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme.

“Ne nuk kemi detyrime për zotimet e kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe jo transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë.

Ndërmjetësit duhet të përmbahen nga nxitja e marrëveshjeve që shkaktojnë përçarje të mëtejshme midis Kosovës dhe Serbisë. Vetëm dialogu parimor dhe i përgatitur mirë çon në marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Kurti në “Twitter”.

Reagimi i Richard Grenell

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar me një gjuhë të ashpër i dërguari Special i SHBA-ve, Richard Grenell.

Grenell ka deklaruar se Kurti është gjithnjë kundër SHBA-ve. Madje ia ka përmendur kreut të VV faktin se ka qenë kundër ideve të ish-presidentëve amerikanë, George Bush dhe Barack Obama.

“Një gjë është e sigurtë, ju gjithmonë mund të llogarisni Kurtin që të jetë kundër SHBA-ve. Ai ishte kundër ideve të Obamës, ishte kundër ideve të Bushit. Simbolika nuk paguan qiratë, atë e bëjnë vendet e punës”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Kujtojmë që Grenell, njeriu kyç që u morr me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pati një raport të vështirë me Kurtin gjatë kohës që ky i fundit ishte kryeministër.