Geer: Sundimi i ligjit, kriter kryesor për integrimin evropian

Shpërndaje

Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer, vlerëson se sundimi i ligjit mbetet një nga kriteret kryesore në rrugën e këtij vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përskaj edhe kushteve tjera që kanë të bëjnë me demokracinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe raportet e mira me shtetet fqinje.

Ambasadori Geer këto komente i bëri pas takimit të parë në këtë detyrë me kryeministrin Zoran Zaev. Ai iu shmang interesimit të mediave lidhur me tensionet mes Shkupit dhe Sofjes e cila ka thënë se do të bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE nëse dy vendet nuk gjejnë zgjidhje për kontestet lidhur me gjuhën maqedone dhe prejardhjen etnike të Goce Dellçevit, heroit të dy shteteve.

“Ky shtet në këtë fazë ka bërë mjaft në procesin e integrimit evropian kur bëhet fjalë për reformat, por edhe në zgjidhjen e kontesteve dypalëshe me shtetet fqinjë. Në këtë kuadër Maqedonia e Veriut është shembull për gjithë rajonin. Duhet të vazhdohet me zbatimin e dy marrëveshjeve të arritura, marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe atë me Bullgarinë për fqinjësi të mirë”.

“Me kryeministrin biseduam për punën që duhet bërë, për reformat në të gjitha sferat, në veçanti në atë që ka të bëjë me funksionimin e shtetit ligjor që është një nga shtyllat bazë në bisedimet e anëtarësimit bazuar në metodologjinë e re të anëtarësimit. Ka edhe fusha tjera si mbështetja e demokracisë, respektimi i të drejtave të njeriut e sfera tjera”, ka deklaruar ambasadori evropian, David Geer i cili në këtë post ka zëvendësuar ambasadorin e deritanishëm, Sumuel Zhbogar.