Grenell sot viziton Kosovën: Zbatimi i marrëveshjes, prioritet i administratës së presidentit Trump

Shpërndaje

Sot një delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler do të jetë për vizitë në Kosovë.

Në delegacion do të jetë edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA.

Ndryshe, kjo vizitë bëhet në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Më 21 shtator 2020, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA” thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Vizitën në rajon e ka konfirmuar edhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Përmes Twitter, ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është në top prioritetet kryesore të Administratës Trump.

“Shihemi në Prishtinë dhe Beograd këtë javë”, ka shkruar ai.