Intervistimi i Ahmetit sot në Prishtinë zgjati më shumë se tetë orë

Shpërndaje

Intervistimi i kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDl) Ali Ahmeti nga ana e hetuesve të Prokurorisë Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, që u mbajt në hapësirat e misionit të BE-EULEKS në kryeqytetin e Kosovës, përfundoi pasdite, pas më shumë se tetë orë që nga paraqitja e tij sot në mëngjes rreth orës 9:30, informoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Rreth orës 18 Ahmeti është parë se si e lëshon selinë e misionit ndërkombëtar të drejtësisë në Kosovë, me çka nuk dha asnjë deklaratë për mediat.

Sipas mediave të Kosovës dhe mediave të tjera në gjuhën shqipe, por edhe sipas vet Ahmetit, ai është thirr që të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, si një nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që nga themelimi i saj dhe pjesëmarrës aktiv në luftën e Kosovës në vitin 1998-99.

Edhe pse deri më tani nuk ka informacione zyrtare as nga lideri i BDl-së, e as nga Tribunali Ndërkombëtar, sipas praktikave të deritanishme të Prokurorisë Speciale, mund të pritet që intervistimi të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

Odat e Specializuara për Kosovën, siç është emri zyrtar i gjykatës selia e të cilës është në Hagë, ndërsa e cila në opinionin në Kosovë njihet si “Gjykata për UÇK-në”, e udhëheqin prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë. Punën formale e filloi në janar të vitit të kaluar, me intervistimin e një prej ish komandantëve të UÇK-së.

Ftesë që të paraqiten para prokurorisë, në cilësinë e të dyshuarve dhe dëshmitarëve për krime kundër popullatës civile shqiptare dhe serbe në Kosovë gjatë dhe pas luftës me Serbinë, sipas informacioneve të deritanishme, kanë marrë 300 ish udhëheqës dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Në mesin e të akuzuarve të fundit janë edhe dy nga themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish spikeri i Kuvendit, Kadri Veseli.

Hetimet, siç është paralajmëruar, janë të përqendruara për krimet e supozuara në periudhën prej janarit të vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.