“KOMANDANT U KRY !”, artisti Besart Gashi vizaton figurën e Agim Ramadanit

Shpërndaje

Tre milionë kapëse të metalit. Kaq material iu nevojit artistit Besart Gashi që ta vizatojë figurën e Agim Ramadanit në qendër të Gjilanit.

Mundi që bëri për 50 ditë rresht iu shpagua, ngase ky hyri në librin Guinness si portreti i parë në botë i këtij lloji.

“Një hero kombëtar për herë të parë po futet në librin e Guinness-it”, deklaroi për Klan Kosova artisti Besart Gashi.

Por, puna me kapëset e metalit që sipas autorit simbolizojnë gjembat që Agim Ramadani i kaloi në kufirin me Shqipërinë, po del se nuk ishte fort e lehtë.

“Kapëset nuk më janë kapur të gjitha në dërrasë. Shumë prej tyre më janë kthyer mbrapshtë. Në këtë projekt kam pasur rrezikshmëri të lartë”.

Artisti thotë se për këtë rekord nuk ka përfituar asnjë cent nga zyrtarët e Guinnes, por është i lumtur që arriti idolin e tij ta fusë në librin e rekordeve.

Mozaiku me përmasa prej 26 metrash katrorë shumë shpejt do të ndryshojë lokacion.

“Do t’i gjendet një vend ku e meriton, ku do të jetojë më shumë se unë”, deklaroi Besart Gashi.

Artisti nga Drenasi është i njohur për veprat e tij artistike e në veçanti me mozaikun e Komandatit Legjendar Adem Jashari me gëzhojat e plumbave.