Nesër mbahet seanca e Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale

Shpërndaje

Nesër, (e martë) do të jetë paraqitja e parë e nënkryetarit të OVL të UÇK-së në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kështu ka bërë të ditur Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media.

Nasim Haradinaj u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Paraqitja e parë e Nasim Haradinajt do të mbahet në seancë publike, e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës.