Zaev – Bregu: Jemi të hapur për bashkëpunim rajonal në rrugën e përmbushjes së qëllimit strategjik të integrimit evropian të vendit

Shpërndaje

Kryeministri Zoran Zaev, sot u takua me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, ku u theksua rëndësia e rritjes së vazhdueshme të bashkëpunimit rajonal midis vendeve të rajonit në ballafaqimin e sfidave, duke i marrë parasysh nevojat në fushën e zhvillimit ekonomik, përmirësimin e konkurrencës, përmirësimin e infrastrukturës digjitale dhe investimin në rrjedhën e lirë të tregtisë.

Kryeministri Zaev, siç informojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, shprehu besim se Qeveria garanton vazhdimësi në zbatimin e prioriteteve të përbashkëta strategjike, anëtarësimin në NATO dhe BE, avancimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe fqinjësore dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen ekonomike dhe zhvillimin dhe menaxhimin e suksesshëm me pandeminë globale të virusit KOVID-19.

Në takim, gjithashtu, u theksuan edhe më shumë aktivitete të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, që synojnë lehtësimin dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal me qëllim të arritjes së qëllimit strategjik të integrimit evropian të vendit tonë, i cili është i përkushtuar për të mbajtur marrëdhënie miqësore me fqinjët dhe tejkalimin e krizës shëndetësoro-ekonomike.