Zëvendëskryeministri Bytyqi: Qeveria siguron mbështetje për kompanitë në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi në kuadër të serisë së takimeve konsultuese, dje pati takim pune në komunën Dibër dhe Mavrovë-rostushë, e vizitoi fabrikën e Euroedil Holding dhe realizoi takim me përfaqësuesit e kompanive të cilat punojnë në këto komuna.

Siç kumtuan nga Kabineti i zëvendëskryeministrit Bytyqi, gjatë vizitës në kompaninë Euroedil Holding, e locuar në fshatin Skudrinje, Bytyqi bisedoi me menaxhmentin e kompanisë gjatë realizimit të projektit të tyre investues, për sfidat me të cilat përballen në punën vijuese, ndërsa i vizitoi edhe kapacitetet prodhuese të ndërmarrjes.

Euroedil Holding është një prej kompanive të cilat kanë nënshkruar marrëveshje për ndihmë shtetërore përmes Ligjit për mbështetje financiare të investimeve. Kompania ka marrëveshje për planin investues me vlerë prej një milionë euro për pesë vjet, ndërsa si mbështetje shtetërore në vitin e parë nga ana e Qeverisë janë paguar rreth 30.000 euro, për shpenzime të arsyeshme investuese. Ajo është formuar nga një qytetar i yni që është kthyer nga jashtë vendit.

“Euroedil Holding është një ndër kompanitë e cila është shfrytëzuese e Ligjit për mbështetje financiare të investimeve dhe me të vërtetë është një kompani e cila tregon si njerëzit tanë të cilët punojnë jashtë vendit dinë dhe guxojnë, së pari të kthehen në vendin tonë, së dyti të tregojnë se dinë të jenë edhe krijues dhe së treti se dinë shumë mirë të jenë të lidhur në zinxhirin e furnizimit me kompanitë e huaja. Kjo kompani prodhon produkte gjysmë të gatshme dhe të gatshme të cilat shkojnë në tregun evropian përmes kompanive me renome botërore dhe kjo me të vërtetë është për mbështetje dhe sot flasim për gjithçka që do të duhej të bëjmë për këtë kompani e cila ka plan për zgjerimin e kapacitetit të tyre të prodhimit”, deklaroi Bytyqi.

Ai tregoi se si Qeveri do ta mbështesin cilën do iniciativë, jo vetëm nga kjo kompani, nga të gjitha kompanitë tjera në këtë rajon sepse kjo do të thotë më shumë vende pune të krijuara, zhvillim të vetë rajonit dhe kontribut ndaj tërë zhvillimit në shtet.

“Edhe njëherë do të doja të tregoj se në esencë nuk është me rëndësi vendi në të cilin operoni, se Maqedonia e Veriut ka potencial, ka njerëz të cilët dinë të zhvillojnë biznes dhe me këtë të tregojnë se ne jemi në dijeni të bëjmë ekonomi e cila është konkurruese në tregun vendor, por edhe jashtë tregut vendor”, theksoi Bytyqi.

Udhëheqësi i Euroedil Holding, Rakim Ramadanovski informoi se kompania është formuar në vitin 2005 dhe punon me prodhime të kallajit, prodhim dhe gjysmëprodhim për ndërtim të thatë. Prodhimet e tyre i plasojnë në tregun evropian dhe në vendet e rajonit. Kompania ka 62 të punësuar, ndërsa kanë plane edhe për zgjerim të mëtutjeshëm të kapaciteteve të prodhimit.[

Gjatë vizitës së punës, në organizim të kryetarit të Dibrës, Hekuran Duka, zëvendëskryeministri Bytyqi realizoi takim edhe me përfaqësues të kompanive të cilat funksionojnë në komunën e Dibrës dhe Mavrovë-Rostushë. Me ta ka biseduar për sfidat aktuale me të cilat përballen gjatë krizës socio-ekonomike, si dhe për masat që përgatiten nga Qeveria për tejkalimin e tyre dhe aktivitetet që Qeveria planifikon t’i zbatojë në periudhën post-Kovid-19 dhe me të cilët parashihet rritje e qëndrueshme dhe zhvillim i ekonomisë në të gjitha rajonet në Maqedoninë e Veriut dhe në vendin në tërësi.