Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk do të votojnë! Ligji për sëmundjet ngjitëse, para deputetëve më 27 tetor

Shpërndaje

Nga LSDM gënjejnë se Ligji për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse propozon masa për luftë kundër pandemisë me Kovid-19, akuzon opozitarja VMRO-DPMNE. Edhe pse ua refuzuan kërkesën për formim të Komisionit të ri shtetëror për ballafaqim me pandeminë, ata thanë se do të marrin pjesë në seancën në të cilën në rend të ditës do të jetë ligji për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse e cila është caktuar për më 27 tetor, duke shtuar se do të jenë të përmbajtur në votimin e këtij propozimi.

“Ne si VMRO-DPMNE sjelljen e Ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundjet ngjitëse nuk do ta bllokojmë dhe jemi të gatshëm që nëse kanë nevojë dhe dëshirojnë të mbajnë seancë, të marrim pjesë si kuorum, nuk do të votojmë për shkak se nuk pajtohemi me masat dhe politikat që po sillen. Njëherë e përgjithmonë VMRO-DPMNE, Naqe Çulev, Gordana Koçovska Dimitrievska, të mos jenë fajtor, qytetarët të mos jenë fajtorë, por ata që me të vërtetë duhet të merren me këtë çështje të marrin përgjegjësinë që e kanë në lidhje me të gjithë masat dhe atë që e sjellin si nevojë për qytetarët”, deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse, Rebalanci i Buxhetit dhe Ligji për mbrojtje nga diskriminimi pritet që të jenë në rend të ditën në seancën e caktuar për më 27 tetor.

“Po, ishte e paraparë që më datë 20 në seancë të shqyrtohet nëse do sillet vendim në Kuvend për shqyrtimin e propozim ligjit në procedurë të shkurtër, ashtu siç është propozuar nga propozuesi. Më datë 20 grupet e deputetëve shprehën mospajtim rreth projekt ligjit dhe për atë shkak nuk e vendosa para deputetëve për shkak të qëndrimeve të ndryshme para se të fillojë seanca”, u shpreh Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit.

Me ndryshimet e këtij ligji do të mundësohet që të jetë e detyrueshme mbajtja e maskave në të hapur, kufizimi i grupimit pas orës 22, por edhe kufizimi i numrit të mysafirëve.

Në seancën që do të mbahet më datë 27, nëse arrihet marrëveshje mes partive parlamentare, në rend të ditës mund të vendoset edhe zgjedhja e Gjyqtarit kushtetues. Deri sa të mbahet kjo seancë, pritet që të përfundojë izolimi i tre deputetëve që ishin pozitiv me Kovid-19 të cilët, sipas Xhaferit, janë në gjendje të mirë shëndetësore./TV21