Do të ketë mbyllje të dytë? Rama: Mund të vijë siç po vjen në disa vende

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama, i pyetur nëse do të ketë një mbyllje të dytë me rritjen e rasteve me koronavirus, nuk e përjashtoi një skenar të tillë, ndonëse tha se në mendjen e tij nuk ka një izolim të dytë.

Sipas Ramës, nuk do të ketë një mbyllje tjetër nëse nuk do ta imponojnë shifrat, por theksoi se nëse “nuk bëjmë detyrat tona”, kjo mund të vijë, sikurse ka ndodhur edhe në disa vende të tjera që kanë rikthyer izolimet lokale.

Kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë domosdoshmërinë e respektimit të masave të thjeshta, ndërsa shtoi se “kjo nuk është shaka”

“Nëse nuk bëjmë detyrën tonë, kjo mund të vijë siç po vjen në disa vende. Ndaj është e rëndësishme të mbahet distanca, të vendoset maska, të lahen duart sa më shpesh e të mos bëhet shaka me një rrezik që na kërcënon të gjithëve, jo vetëm në aspektin shëndetësorë, por edhe ekonomik. Nuk ka një mbyllje të dytë në mendjen time, por nëse shifrat nuk na e imponojnë nuk do ketë një mbyllje të dytë as në realitetin tonë”, u shpreh kryeministri.