Zaev: Më shumë para për mbështetje të të punësuarve dhe për vende stabile të punës

Shpërndaje

Sigurojmë më shumë para për mbështetje të të punësuarve, për stabilitet të vendeve të punës. Mbështetja për pagesë të rrogave vazhdon të vlejë edhe për tremujorin e fundit të vitit (për tetor, nëntor dhe dhjetor), kumtoi sot kryeministri Zoran Zaev në Fejsbuk.

“Risi në masë është që mbështetja do të caktohet në mënyrë graduale në pajtim me rënien e të ardhurave tek kompanitë dhe ajo do të lëvizë prej 14.500 denarët e tanishëm deri 21.776 denarë. Me metodologjinë e re për ndihmë shtetërore për pagesë të rrogave do të mbështeten 83.000 vende të punës të bashkëqytetarëve tanë, në nivel mujor, përkatësisht gjithsej 250.000 rroga për tremujorin e fundit”, thekson Zaev.

Ai thekson se vlera e kësaj mase paraqet 70 milionë euro dhe për t’u realizuar e drejta për të, kompanitë që do të aplikojnë, duhet ta ruajnë numrin e të punësuarve, përfundimisht me 31 korrikun e këtij viti.

“Kjo masë vlen edhe për ushtruesit e pavarur të veprimtarive, përkatësisht tregtarët individë, personat që ushtrojnë veprimtari bujqësore, veprimtari zejtare dhe persona që ushtrojnë shërbime të tjera”, shton kryeministri Zaev në Fejsbuk.