Bllokohen ndryshimet e rregullores! Opozita parashtroi mbi 3 mijë amendamente

Shpërndaje

Nga mëngjesi shërbimet e Kuvendin kanë shumë punë. Deputetët e opozitës në Kuvend kanë parashtruar mbi 3 mijë amendamente për propozim-ndryshimet e Rregullores me të cilat parashikohet që deputetët e infektuar apo që janë në izolim, të mund të punojnë online. VMRO-DPMNE, koalicioni ASH-AAA, si dhe nga E Majta, nuk pajtohen me këtë propozim. Vlerësojnë se ka pengesa kushtetuese, ndërsa mund të ketë edhe keqpërdorim të sistemit në kohë kur sillen ligje kyçe.

“Kjo nuk është mënyra me të cilën krijohet besim shtesë mes subjekteve politike, përkundrazi, unë mendoj se e prish edhe ashtu besimin e dobët që ekziston mes partive politike në Kuvend. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjithë modalitetet e mundshme politike dhe resurset që i kemi, që të kundërshtojmë këtë proces i cili ka për qëllim me fuqi të sillet, në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk mundëson dialog në Kuvend”, u shpreh Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.

“Nuk ka as kushte teknike e as demokratike që Kuvendi të funksionojë online, për arsye se dëshirojmë të imitojmë parlamentet perëndimore, ndërsa jemi larg realitetit në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani vetëm në kohën e Gruevskit Rregullorja ndryshohej pa konsensus. Po shohim që edhe ky pushtet dëshiron ta kthejë gruevizmin prapa, gjë që nuk do të lejojmë. Qëllimi ynë është të pamundësojmë që kjo Rregullore pa konsensus të kalojë”, theksoi Skender Rexhepi nga koalicioni “Tash është koha”.

Nga shumica parlamentare thonë se zgjidhja që e propozon Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, është e mirë duke pasur parasysh gjendjen me virusin korona dhe mundësinë që deputetët që janë të sëmurë apo në izolim të mund të punojnë online.

“Realisht kemi numër të lartë të të infektuarve me Kovid-19, për fat të keq, kemi edhe disa deputetë që ishin në izolim e askush nuk garanton se nesër nuk do të infektohet dikush tjetër. Saktë precizohet cilët deputet mund të punojnë nga shtëpia, d.m.th. deputetët që do të kenë vendim nga Inspektorati shtetëror sanitar. Vetëm për ta do të jetë kjo që propozohet”, potencoi Arben Zyberi nga BDI.

“Për fat të keq edhe një herë opozita dëshmoi se e bllokon këtë proces që ka të bëjë me ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores, përkatësisht ku parashihet që ata deputet që janë të infektuar me korona virus të kenë të drejtë të votojnë online, gjë që e kanë bërë të gjithë parlamentet, jo vetëm në rrethin por edhe në gjithë BE. Më vjen keq që kjo po ndodh, megjithatë le të vlerësojë opinioni. Kjo vlen vetë për ata deputet, do të theksoj, që janë vetëm me këtë sëmundje”, tha Dime Vellkov nga LSDM.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, periudhën e mëhershme theksonte nevojën për sjelljen e ndryshimeve të Rregullores për punë online të deputetëve për shkak të gjendjes me virusin korona. Për sot u caktua edhe debat për ndryshimet në Komisionin amë për çështje të rregullores, mandatit dhe imunitetit, por opozita e cila e kundërshton këtë propozim e bllokon punën me numër të madh të amendamenteve./TV21