Maqedonia nga e premtja në gjendje krize?

Shpërndaje

Këshilli i Sigurisë në Maqedoninë e Veriut që drejtohet nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski pritet që të shpallë gjendje krize në vend për 30 ditët e ardhshme.

Siç mëson Deutsche Welle, nga e premtja pritet që të shpallet gjendje krize në tërë territorin e vendit.

Këshilli i Sigurisë pritet që sot të rekomandojë shpalljen e gjendjes së krizës, ndërsa vendimi pritet të marrë dritë jeshile nga Qeveria, por për vazhdimin e
saj duhet të votohet edhe në Kuvend.

Me vendimin e organit më të lartë shtetëror që pritet të miratohet, Armata do të vihet në angazhim, por shtetit do t’i mundësohet që të shfrytëzoj edhe resurset e kompanive dhe spitaleve private, përcjell INA.

Numri i të prekurve nga Kovid-19 tanimë ka kaluar mbi 50 mijë, ndërsa çdo ditë rritet edhe numri i atyre që ndërrojnë jetë.
Një nga vendimet e tjera nuk përjashtohet edhe ora policore dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, sidomos nga orët e mbrëmjes deri në mëngjes.

Me këtë vendim do të legalizohet përdorimi i armatës për ballafaqim me krizën, sigurimi i asistencës nga MPB-ja për sigurinë publike, Komiteti drejtues për ballafaqim me krizën do të zëvendësohet me shtab krize, një trup formal i përbërë nga ministri i MPB-së, mbrojtjes, përfaqësues nga kabineti i presidentit, anëtarë të komisionit parlamentar për mbrojtje dhe siguri, si dhe një anëtar nga partia më e madhe opozitare.

Kjo masë gjendje krize për herë të parë vendoset në tërë territorin e vendit. Në fillimin e pandemisë, në kushtet kur ishte shpërndarë Kuvendi, presidenti Stevo Pendarovski atëkohë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërsa gjendje krize në muajin mars ishte shpallur vetëm në Dibër dhe Qendër Zhupa, ku me javë ushtria dhe policia kryenin kontrolle në hyrje daljet e këtij rajoni.

Situata është vlerësuar serioze edhe për shkak të rritjes së numrit të vdekjeve, pasi që për një javë 172 veta kanë ndërruar jetë.