Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor që humbën jetën nga Covid

Shpërndaje

UD e presidentit Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur se do të dekorojë post mortum me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët humbën jetën nga Covid derisa ishin në krye të detyrës, njofton ALBAZONE MEDIA.

Ceremoninë e ndarjes së dekoratave do ta organizojmë së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve.

Osmani bëri të ditur se lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse.

Njoftimi i plotë:

Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne.

Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion.

Ceremoninë e ndarjes së dekoratave do ta organizojmë së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse.