Veseli para gjyqtarëve të Speciales deklarohet i pafajshëm

Shpërndaje

Ish-kryetari i PDK-së dhe njëri nga figurat kryesore të UÇK-së, Kadri Veseli, ka dalë për herë të parë para gjyqtarëve të Gjykatës Speciale.

Aktakuza kundër Kadri Veselit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Kadri Veselin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Veselit i ishte ngritur aktakuzë nga Specialja më 5 nëntor, së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili në kohën e luftës ka qenë udhëheqës politik i UÇK-së.

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj Jakup Krasniqit ish-zëdhënës i UÇK-së dhe Rexhep Selimit, shef i operacioneve në UÇK.

Të martën seanca e parë  gjyqësore është mbajtur ndaj Thaçit e Krasniqit, të cilët janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli gjatë paraqitjes së parë në Hagë, u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritur nga Dhomat e Specializuara.