ASH: BDl-ja mashtroi se gjuha shqipe do të jetë obligative për nxënësit maqedonas

Shpërndaje

Koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, akuzoi BDl-në se nuk ka mbajtur premtimin parazgjedhor që gjuha shqipe do të bëhet obligative edhe për nxënësit maqedonas, me konceptin e ri për shkollat fillore.

Kjo u theksua sot në konferencën me mediat të mbajtur nga Bujare Abazi nga koalicioni opozitar shqiptar.

“Aleanca për Shqiptarët si parti, prej fillimeve të veta , shtyllë kryesore në veprimin e saj e kishte dhe e ka zyrtarizimin e gjuhës shqipe si nevojë e kohës, duke pasur parasysh shtrirjen territoriale, autoktoninë, participimin në shtet dhe synimin për ndërtim të një “Shteti për të Gjithë”, me vlera të larta demokratike e Evropiane.

Vizioni ynë për “Shtet për të Gjithë”, vazhdon të jetë komunikimi mes qytetarëve nga të dy komunitetet më të mëdha në vend, në atë formë ku secili do të flasë në gjuhën e vet, por do të kuptohen pa asnjë problem.

Ky vizion arrihet vetëm atëherë kur dhe Gjuha Shqipe do të zyrtarizohet në mënyrë të mirëfilltë, por jo me stërkëmbëza që mundohet ti bëjë pushteti me partnerin shqiptar BDl , të cilët tentojnë që me zgjidhje hibride të manipulojnë opinionin, se gjoja edhe gjuha shqipe në konceptin e ri për arsim fillor do ta mësojnë edhe komunitetet shumicë , por si lëndë zgjedhore. Në realitet, ky është edhe një truk për të mjegulluar premtimet e dhëna gjatë fushatës së tyre për 100 ditët e para të qeverisjes, që gjuha shqipe të jetë lëndë obligative prej klasës së pestë.

Ne si Koalicion Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, rikujtojmë se premtimet e BDl-së ishin se në konceptin e ri për shkollat fillore, gjuha shqipe do të mësohet si lëndë obligative dhe jo fakultative, ashtu siç njoftoi para disa ditëve Ministresha e Arsimit Carovska.

Duke marrë parasysh se me konceptin e ri do të kemi më shumë se 20 lëndë zgjedhore, probabiliteti për ta zgjedhur nxënësit gjuhën shqipe është në përqindje shum të vogël, ose aspak.

Nëse i marrim edhe konstalacionet politike, vijmë në përfundim se kjo është vetëm një zgjidhje hibride në sy të opinionit, dhe kjo flet për pazare politike Lsdm dhe BDl.

Nëse mendohet se me këtë zgjidhje po bëhet zyrtarizimi i gjuhës shqipe, shtrohet pyetja se përse për nxënësin shqiptarë gjuha maqedonase duhet të jetë obligative? Pse të mos jetë edhe gjuha maqedonase lëndë zgjedhore për nxënësit shqiptarë?

Koalicioni Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa e rikujton opinionin se kjo zgjidhje është edhe një prej atyre zgjidhjeve në arsimin fillor, ku punëtori që punon në arsim duhet të njohë dhe ti nënshtrohet provimit për gjuhët. Ku i punësuari shqiptar duhet ti nënshtrohet provimit në dy gjuhë, ndërsa ai maqedon vetëm në gjuhën maqedonase. Që të jetë paradoksi më i madh, profesorët që do të ligjërojnë gjuhën maqedonase tek nxënësit shqiptar, nuk janë të obliguar që ta njohin gjuhën e nxënësit, pra gjuhën shqipe edhe pse e njëjta është zyrtare”, ka deklaruar Bujare Abazi nga koalicioni ASH-AAA./shenja