Bulliqi pranon zyrtarisht detyrën si kryetar i Podujevës, thotë se zyra e tij do të jetë e hapur për qytetarët

Shpërndaje

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka bërë sot betimin si kryetar i ri kësaj komune para asamblistëve të Kuvendit Komunal në Podujevë.

Në fjalën e tij para Kuvendit Komunal, Bulliqi u zotua se do të punoj me transparencë.

Ai shtoi se sot po merr një përgjegjësi të lartë.

“Unë sot po marr një përgjegjësi të lartë që më besuan qytetarët për ti shërbyer një komuniteti dhe rrethine. Gjatë kësaj kohe kam reflektuar mbi të arriturat historikisht që ka pasur Llapi dhe Podujeva. Besimin e qytetarëve do ta kthejmë në realizim të pritjeve të tyre”, tha Bulliqi.

Ai shtoi se është i nderuar dhe përgjegjës që përmes një procesi demokratik llapjanët i kanë deleguar detyrën e drejtimit të një komune që ka nxjerrë emra të mëdhenjë në të gjitha sferat.

“Llapi i ka dhënë Kosovës emra si Adem Demaci e Shaban Shala, Afrim Zhitia e Zahir Pajaziti, Enver Maloku e Xhemail Mustafa, Fadil Vokrri etj”, tha Bulliqi.

Kryetari Bulliqi u shpreh se zyra e tij do të udhëhiqet nga parimi gjithëpërfshirjes dhe trajtimit të barabartë sipas ligjit dhe se do të jetë e hapur për qytetarët.

“Shërbimi për qytetarët dhe ndaj tyre nuk do të jetë si nderë, dhuratë apo shpagim politik, por si shërbim ndaj qytetarëve mbi bazën e ligjshmërisë dhe kritereve të mertiokracisë”, tha Bulliqi.