Presidenti azerbajxhanas: Që nga orët e para të luftës për atdhe kemi ndier mbështetjen e Turqisë

Shpërndaje

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka deklaruar se që nga orët e para të luftës së vendit të tij për çlirimin e tokave të pushtuara azerbajxhanase nga Armenia kanë ndier mbështetjen e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Aliyev u adresua në ceremoninë “Parada e Fitores” të mbajtur në Baku, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili qëndron për një vizitë dy-ditore në Azerbajxhan me ftesë të homologut të tij, presidentit Aliyev.

“Që nga orët e para të luftës për atdhe kemi ndier mbështetjen e Turqisë”, deklaroi Aliyev.

Duke marrë pjesë në ceremoninë “Parada e Fitores” së bashku me presidentin Erdoğan, tha Aliyev, popujve të tyre dhe botës u tregojnë unitetin midis Turqisë dhe Azerbajxhanit.

“Armenia ka kryer krime lufte kundër popullit të Azerbajxhanit. Integritetin tonë territorial ne e rifituam në fushën e betejës”, theksoi Aliyev, duke shtuar se ushtria armene u gjunjëzua.

“Karabaku është Azerbajxhan dhe sot bota e pa se Karabaku është i Azerbajxhanit. Rroftë miqësia Turqi-Azerbajxhan”, shtoi ai.

“Parada e Fitores” mbahet për të shënuar përmbushjen e suksesshme ushtarake të fundit të Azerbajxhanit në çlirimin e rajonit të Malësisë së Karabakut, rajon i cili ishte nën pushtimin armen për pothuajse 30 vite.

Konflikti në Malësinë e Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave të Azerbajxhanit, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit, Azerbajxhani çliroi nga pushtimi armen disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra.

Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Armëpushimi konsiderohen si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.