Vajza vuan nga zemra, nëna lutet për ndihmë: Duhen 200 mijë euro për operacionin

Shpërndaje

Me përhapjen e virusit Sars/cov2 në Shqipëri, kur e gjithë vëmendja është e përqendruar aty, familja Bërdufi mësoi një lajm tronditës për vajzën e vogël të shtëpisë, Elonën. Që prej marsit 14-vjeçarja nuk shkon më në shkollë prej një tjetër sëmundjeje.

“Në karantinë siç rrinim të gjithë familjarët, aty e kuptova që Elena kishte diçka qe nuk shkonte, kishte marrje fryme , këputje … çfarë nuk na shkonte në mendje se ishim të traumatizuar prej virusit. Helmim nuk kishte, as virus, por kishte diçka që as unë s’e besoj, kur mjeku tha duhet ta çojmë me urgjencë. Më shpjegonin, por prapë s’e pranoja që fëmija ime vuante nga zemra”, – thotë nëna e saj, Enida Bërdufi.

E diagnostikuar me kardiomiopati e dilatuar, një formë e rëndë, 14-vjeçarja duhet të kryejë ndërhyrje në zemër, por ky operacion i ndërlikuar nuk mundësohet në spitalet shqiptare.

“Ilaçet janë sa me qenë Elena në këmbë. Doktoresha ka thënë se vetëm jashtë shtetit mund të bëhet në Turqi ose Itali, shkon 200 mijë euro. Ku t’i gjesh ato të ardhura? Do mendosh për pjesën e lekut dhe dhembshuria e fëmijës, dhimbje e dyfishtë. Kush nga 50, kush nga 100 që na kanë ndihmuar deri tani, imagjino të shkosh jashtë shtetit”, shton Enida.

Koha për Elonën është më e çmuar se kurrë tani. Ajo pas përmirësimit del nga spitali, por gjendja e saj përkeqësohet në banesë, ndaj ndërhyrja duhet të kryhet sa më shpejt.

“Thjesht na ka thënë mjekja, nëse sheh diçka të çuditshme kur vjell, do e sjellësh me shpejtësi. Nga Kavaja të çosh me urgjencë një fëmijë me zemër? Nga momenti në moment ça s’mund të ndodhë!! Ça mund t’i bëj unë fëmijës në shtëpi vetë? Serumin s’ia bëj dot”, thotë ajo.

Netëve pagjumë, me frikën nga koha që kalon dhe vuajtjet e të bijës që shtohen, Enidën e shoqërojnë lutjet. “Nuk dua asgjë, vetëm të shpëtoj fëmijën, ta kuroj e të jetë si gjithë shoqet“, – thotë e ëma.

“Ju lutem, të shërohem sa më shpejt”, shprehet Elona nga ana e saj. /Top Channel/