Kaos në konfirmimin e Biden/ Trump “nuk dorëzohet”, mbështetësit futen në ndërtesën e Kongresit (LIVE)

Shpërndaje

Mbështetës të presidentit në largim të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, hynë të mërkurën në ndërtesën e Kongresit amerikan, ku po zhvillohet procesi i certifikimit të votave elektorale nga zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020.

Pamjet televizive të disa transmetuesve amerikanë tregojnë protestues brenda dhe jashtë ndërtesës së Kongresit, si dhe arritjen e forcave shtesë të policisë.

Kongresi u mblodh sot për të konfirmuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Procesi, që zakonisht është rutinor dhe ceremonial, duket se do të shkojë ngadalë, pasi disa republikanë të presidentit aktual, Trump, kanë vendosur ta sfidojnë konfirmimin, duke u thirrur në pretendime të pabaza për mashtrime në zgjedhje.

Kundërshtimet e para u paraqitën për rezultatet e shtetit të Arizonës, ku Biden është shpallur fitues.

Kundërshtimi ka çuar në dy orë debat në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.

Trump është zotuar se “nuk do ta pranojë kurrë humbjen” dhe u ka bërë thirrje mbështetësve që të mblidhen në Uashington.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi”, tha Trump në tubimin e mesditës.

Së paku 14 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e disa shteteve. Por, ky vendim i ka ndarë edhe vetë republikanët.

“Votuesit, gjykatat, shtetet – të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ata, ne do ta dëmtojmë republikën tonë përgjithmonë”, tha Mitch McConnell.

Nënpresidenti aktual, Mike Pence, tha se roli i tij “kryesisht ceremonial” në seancën e sotme të Kongresit, nuk e lejon atë që ta ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve dhe fitoren e Bidenit.

Në një deklaratë me shkrim, Pence tha se është gjykim i tij që Kushtetuta amerikane e ndalon atë ta bëjë një gjë të tillë.

“Presidenca i përket popullit amerikan dhe vetëm atij”, tha Pence.

Kolegji Zgjedhor – sistemi i përdorur për të zgjedhur presidentin e SHBA-së – e ka konfirmuar fitoren e Bidenit në muajin dhjetor.

Ligjvënësit republikanë planifikojnë t’i kundërshtojnë votat elektorale në së paku gjashtë shtete – Arizona, Xhorxhia, Nevada, Miçigen, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Përpjekja e republikanëve nuk ka pothuajse asnjë shans për ta parandaluar Bidenin që të marrë detyrën më 20 janar, sepse demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe mjaft republikanë e kundërshtojnë përpjekjen.