Konjufca: Sot u pa qartë pse Daka është koka e planit për stopimin e Kurtit

Shpërndaje

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se tani, pas vendimit të Zyrës së Pavarur të Certifikimit, që i ka dërguar KQZ-së rekomandim që t’i certifikojë të gjithë kandidatët të garojnë për deputet, shihet qartë që Valdete Daka ka pasur plan për ta ndaluar Albin Kurtin, njofton Insajderi.

“Sot u pa qartë për çka e pata fjalën pardje kur thashë që Valdete Daka është koka e planit për stopimin e VV-së dhe të Albinit”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

“I ftoj tash të gjithë ata që dje i thonin VV-së ‘të respektohet ligjshmëria’, këtë parim ta thonë edhe një herë e me zë të lartë tash që Zyra e Pavarur e Certifikimit i dha të drejtë Albin Kurtit”.

Konjufca ka thënë se tash jemi para një pyetje të re.

“Nëse ky rekomandim nuk zbatohet, atëherë kush nuk po i zbaton vendimet ‘veç kur nuk po i konvenojnë’? VV-ja a Valdete Daka?”.

“Nëse bordi politik i KQZ-së i mbivendoset Zyres profesionale të Certifikimit, kjo përfundimisht e fundos pavarësinë e këtij institucioni bashkë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

Të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të determinohen nga një forum politik, drejtuesja e të cilit, siç po tregon me sjelljen e saj, është përbetuar për eliminimin e Albin Kurtit nga gara e barabartë zgjedhore.