Gir: Nuk ka plan B, qëllimi është aderimi i Maqedonisë në BE

Shpërndaje

Nuk ka plan B, qëllimi është aderimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Jam optimist. Tani pason harmonizimi i kornizës negociuese dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, që në të vërtetë do ta fillojë procesin e negociatave, deklaroi ambasadori i BE-së në vend Dejvid Gir në një intervistë me MIA-n.

“Këto bisedime vazhdojnë në Bruksel dhe me të vërtetë presidenca portugeze është zotuar të ndihmojë dhe do ta shtyjë procesin. Ndërkohë, ajo që është e rëndësishme është që Maqedonia e Veriut, së bashku me Bullgarinë, të angazhohen në mënyrë dypalëshe në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët, e cila do të mundësojë që situata të shkojë përpara”, nënvizoi Gir.

Në pyetjen e MIA-s se përfshirja e mosmarrëveshjeve bilaterale në procesin e zgjerimit është padyshim një pengesë për BE-në dhe se është veçanërisht e rrezikshme që historia të bëhet parakusht për anëtarësimin, Gir tha se në këtë rast fokusi është në dy gjëra – Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria ta zgjidhin kontestin mbi bazën dypalëshe dhe vendi t’i përshpejtojë reformat.

“Nuk do të hyj në detaje rreth asaj që është diskutuar. Është e rëndësishme të përqendroheni në atë që është e rëndësishme në këtë rast. Dy gjëra janë të domosdoshme – e para është që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgaria të vazhdojnë të angazhohen në zgjidhjen e çështjeve të tyre në bazë dypalëshe dhe së dyti – ndërkohë Qeveria të zbatojë dhe përshpejtojë procesin reformues. Pse është e rëndësishme – së pari, sepse është me rëndësi të madhe për qytetarët dhe së dyti, edhe reformat e lidhura me BE-në janë mënyra më e shpejtë për t’u afruar dhe më pranë familjes evropiane”, tha Gir.