Shpenzimet e Avdullah Hotit, Albin Kurtit e Ramush Haradinajt për dreka

Shpërndaje

“E kemi një kryeministër i cili bukën e merr me vete nga shtëpia”, ishte deklarata e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj që e bëri temë të diskutimit për disa ditë kryeministrin, Avdullah Hoti.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në shpenzimet e bëra për dreka nga Hoti dhe kabineti i tij, por edhe të dy ish-kryeministrave, Ramush Haradinaj e Albin Kurti.

Të dhënat e siguruara nga Zyra e Kryeministrit tregojnë se Hoti she stafi i tij, në periudhën 3 qershor deri më 25 nëntor, kanë shpenzuar 18,115 euro për dreka brenda vendit. Pra, për 175 ditë kabineti i kryeministrit Hoti mesatarisht kanë shpenzuar 103 euro në ditë për dreka. Në dokumentin e shpenzimeve të Hotit thuhet se shpenzimet nga kartela për dreka jashtë vendit janë shpenzuar 2,947 euro. Në merren edhe shpenzimet jashtë vendit, i bie që kryeministri Hoti dhe stafi i tij kanë shpenzuar 20,062 euro apo 120 euro në ditë.

KALLXO.com ka siguruar edhe shpenzimet e ish-kryeministrit Albin Kurti, i cili pjesën më të madhe të qeverisjes e kishte në detyrë, pasi ndaj tij u ngit mocion mosbesimi nga ish-partneri i tij qeverisës LDK-ja, pas 50 ditësh në pushtet, mocion i cili u miratua me mbi 80 vota nga Kuvendi i Kosovës.

Kurti ka qenë kryeministër për 121 ditë dhe gjatë kësaj kohe ka shpenzuar 6,324 euro për dreka së bashku me stafin e tij. Pra, janë shpenzuar mesatarisht 52 euro në ditë për dreka nga kryeministri Kurti dhe stafi i tij.

Zyra e kryeministrit i ka lejuar qasje KALLXO.com në shpenzimet e bëra nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili ka qëndruar shumë më gjatë në pushtet.

Shpenzimet e kabinetit të kryeministrit, Ramush Haradinaj ishin dukshëm më të larta se dy pasuesve të tij. Haradinaj gjatë 877 ditëve sa ka qenë kryeministër ka shpenzuar 599,174 euro për dreka së bashku me stafin e tij. Pra, shpenzimet mesatare ditore për dreka të Haradinajt dhe stafit të tij arrijnë në 683 euro.