LSI “zhduket” në 7 qarqe

Shpërndaje

Merr vetëm 5 mandate nga 19 që kishte në zgjedhjet e vitit 2017, humbja më e thellë në Berat

Zgjedhjet e 25 Prillit shënuan rezultatin më negativ për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi është “zhdukur” nga harta zgjedhore në 7 qarqe, ku ka humbur të drejtën për të dërguar përfaqësues në Parlament.

Rezultatin më të dobët partia e themeluar nga presidenti aktual Ilir Meta e ka marrë në qarkun e Beratit, ku nga 2 mandate, tashmë rezulton që i ka humbur të dyja.

Po ashtu humbje ka në Dibër, Lezhë, Elbasan, Korccë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Ndërsa në Fier nga 2 mandate në vitin 2017 tashmë do të ketë vetëm 1. Edhe në Durrës e njëjta gjë, ashtu si edhe në Shkodër, ku gjithashtu nga dy mandate në 2017 do të ketë vetëm 1 përfaqësues në Parlament.

Në zgjedhjet e 2017-ës, LSI-ja e cila njësoj si PS e PD garoi më vete, pa koalicione, arriti të fitonte 19 mandate në rang kombëtar. Por në këto zgjedhje ajo ka pësuar një rënie më të madhe, duke patur të sigurta sipas rezultateve paraprake vetëm 5 mandate në të gjithë vendin.