Certifikatat për vaksinim në Maqedonisht dhe Anglisht, Shqipja askundi

Shpërndaje

Gjuha Shqipe nuk figuron askund në certifikatat zyrtare të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë pas marrjes së vaksinës kundër Covid-19. Në këto certifikata ka vend për gjuhën maqedonase dhe gjuhën angleze, por jo edhe për gjuhën shqipe edhe pse kjo e fundit ligjërisht është zyrtare në vend. Arsyetimet për mungesë kuadri, apo vonesa teknike nuk kanë vend në këtë rast, siç ka pasur herave tjera, pasi bëhet fjalë për një dokument që nuk ka shumë fjali brenda dhe nuk merr më shumë se disa minuta për ta përkthyer e përshtatur, shkruan in7.

Ministria e Shëndetësisë edhe pse jo e vetmja, njihet për mosrespektim të përdorimit të gjuhës zyrtare në të gjitha nivelet e komunikimit, me përjashtime të vogla. Shpesh ka qënë cak i kritikave për këtë temë, ndërsa arsyetimet kanë qënë nga më të ndryshmet. Nevoja për përdorim të gjuhës shqipe bëhet edhe më e madhe në kohë pandemie, por pikërisht në muajt e pandemisë ka pasur pengesa të mëdha.

Në lidhje me dokumentin e fundit, certifikatën për vaksinim, in7 ka dërguar pyetje para disa ditëve në adresë të zëvendësministrit shqiptar të Shëndetësisë, Ilir Hasani nga BDl. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, asnjê përgjigje nuk ka ardhur në redaksinë tonë.