Opozita shqiptare: Në Aerodrom – lule, në Çair mure! (Video)

Shpërndaje

Të nderuar përfaqësues të mediave, jemi sot këtu para Murit të Turpit “Visar Shilegov”, për të shprehur indinjatën tonë dhe të qytetarëve të Çairit për këtë poshtërim që na bëhet neve si qytetarë të Shkupit.

Derisa kryetari i Qytetit të Shkupit nëpër pjesët e tjera të qytetit, si në Aerodrom, Karposh e në Gjorçe Petrov mbjell lule, në Çair që nga viti i kaluar mbjell vetëm beton. Dhe, duke pasur këtu një kryetar Çairi kukull, që edhe ashtu është instaluar nga Shilegovi e shefat e tij, qytetarët këtu janë vendosur nën trysninë e betonizimit dhe mëshirën e atyre që Çairin po e ndajnë me beton.

Sikur të mos mjaftojnë ndërtesat ilegale që mbijnë çdo ditë nëpër Çair, duke ua zënë frymën qytetarëve, dhe që janë më të larta edhe se korrupsioni e ryshfeti që e marrin këtë zyrtarë të Komunës së Çairit, Shilegovi ka vendosur që ta poshtërojë Çairin edhe me këtë mur, të cilin ne e kemi quajtur “Muri i Turpit Visar Shilegov”. Për ata që nuk e kanë ndërmend të vazhdojnë të jetojnë në Çair, siç bëjnë rëndom kryetarët e Çairit pasi e përfundojnë mandatin, ky nuk është problem, por për neve që e duam Çairin si pjesë të qytetit, sepse Çairi është jeta jonë, ky mur është poshtërim, nënçmim dhe zgjidhja më e keqe infrastrukturore që mund të bëhet për ta rregulluar komunikacionin në komunën më të dendur në Europë.

Duke mos qenë indiferentë ndaj këtij turpi, ne sot jemi këtu që ta shprehim revoltën tonë dhe, përveç kësaj, ta ilustrojmë me tekst turpin e këtij muri dhe ta emërtojmë me emrin e tij të saktë.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA i bën thirrje Kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov, që ta heqë këtë beton nga Çairi dhe të ofrojë zgjidhje tjetër. Në të kundërtën, sapo ta fitojmë Komunën e Çairit në vjeshtë, gjëja e parë që do ta bëjmë është ta çlirojmë Çairin nga betoni dhe në vend të murit, që është simbol i dhunës, poshtërimit dhe burgut, të ofrojmë zgjidhje me gjelbërim dhe zbukurim, siç i kanë hije komunës që edhe emrin e ka në asociacion me gjelbërimin.

Ta shpëtojmë Çairin nga betoni!

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA

Shkup, 06.05.2021