Mali i Zi shet mercedesin e Gjukanoviqit, mercedesi i Gruevskit përdoret akoma

Shpërndaje

Mali i Zi do ta shesë automobilin Mercedes Benz, modelin Majbah C 650, i blerë nga qeveria paraprake e Millo Gjukanoviqit, pasi paraqet luks me paratë e popullit.

Në vendin tonë, automobili me shkronjën “M”, i blerë me dëshirë personale të të arratisurit Nikolla Gruevski nuk e kishte këtë fat, përkundër premtimeve disavjeçare të Qeverisë aktuale, se Mercedesi i blinduar do të shitet.

Ky automobil, që u ble në mënyrë të fshehtë nga pushteti i Gruevskit, edhe më tej shfrytëzohet.

Qeveria

“Lidhur me automobilin që po pyetni, po bëhen vlerësimet, pas çka do të vendoset si do të veprohet.

Në ndërkohë, shfrytëzohet herë pas here gjatë vizitave të përfaqësuesve të lartë, në rastet kur kërkohet automobil i blinduar. Atë e ruan dhe mirëmban Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta në Qeveri”.

Nga Qeveria nuk zbulojnë se kur për herë të fundit automobile me shkronjën “M” është përdorur dhe kush është vozitur i fundit në mercedesin e Gruevskit. Për blerjen e kësaj makine ekstravagante, tashmë ka të dënuar me vendim të plotfuqishëm.

Nikolla Gruevski u gjykua dy vjet. Ish-ministrja e brendshme, Gordana Jankuloska dhe ndihmës ministri i atëhershëm për prokurime publike, Gjoko Popovski, gjithashtu u dënuan me katër vjet burg. Nëntorin e kaluar, Kryeministri Zoran Zaev tha se pasi vendimi për rastin “Tanku” u bë i plotfuqishëm, nuk ka asnjë pengesë për shitjen e Mercedesit.

Por, edhe tetë muaj më vonë, qeveria është ende duke vendosur si të veprojë, nëse do ta shesë apo do ta mbajë, pasi automjeti mund të ketë humbur vlerën dhe nuk ka logjikë ekonomike për ta nxjerrë në shitje.

Në vitin 2017, para zgjedhjeve të atëhershme lokale, LSDM-ja premtoi se i ashtuquajturi “Tanku” përfundimisht do të dalë në shitje dhe paratë do të përdoreshin për të blerë ambulanca për klinikat. Katër vjet më vonë, në garazhin qeveritar ruhet automjeti me shkronjën “M” – makinë e blinduar luksoze, zgjedhje personale e të arratisurit dhe azilkërkuesit Nikola Gruevski.