Votohet në parim heqja e homologimit të automjeteve

Shpërndaje

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 70 vota për kanë votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit.

Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votim.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se projektligji për automjete ku përfshihet homologimi ka ardhur për herë të dytë pas mosmbështetjes në legjislaturën e kaluar.

Ajo shtoi se me plotësim-ndryshimin e projektligjit do të sigurohet që do të hiqet “kjo padrejtësi e homologimit me mbi një dekadë”.

“Do të ketë adresime tjera në shqyrtimin tjetër në mënyrë që të sigurohemi që grupet parlamentare do të shtojnë çështjet e tyre në projektligj. Projektligji është i thjeshtë, ka katër nene është miratuar unanimisht në Komision dhe i ftojmë të gjitha grupet parlamentare të votojnë sot pro tij edhe në seancë ashtu siç kanë votuar në Komision”, u shpreh Kusari-Lila në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.