Breshëri dëmton të mbjellat në Skenderaj, Jashari premton ndihmë

Shpërndaje

Reshjet e shumta të shiut dhe breshëri kanë shkaktuar dëme në kulturat bujqësore në fshatrat e Skenderajt. Kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, ka njoftuar se është formuar Komisioni për verifikimin e dëmeve, ku banorët mund të aplikojnë që nga e hëna për kompensim.

“Kërkoj nga ju që gjatë javës së ardhshme të aplikoni në komunën tonë për kompensim të dëmeve, të cilat pas vlerësimit nga komisioni komunal do të përcillen drejtë Ministrisë së Bujqësisë për kompensim”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka njoftuar se do të vijojë të qëndrojë pranë bizneseve familjare.

Reshjet e shiut do të vijojnë edhe të dielën, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, derisa temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet 29-31 gradë Celsius.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Reshjet e shiut dhe breshëri i rënë sot në disa fshatra të komunës sonë, fatkeqësisht ka shkaktuar shumë dëme në kulturat bujqësore të fermerëve tonë.

Si qeverisje komunale kemi të formuar komisionin për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, andaj kërkoj nga ju që gjatë javës së ardhshme të aplikoni në komunën tonë për kompenzim të dëmeve, të cilat pas vlerësimit nga komisioni komunal do të përcillen drejtë Ministrisë së Bujqësisë për kompenzim.

Të dashur fermerë, dëmet e tilla nuk duhet të ju ndalin në punën tuaj të shkëlqyer në kultivimin e fidaneve dhe kulturave tjera bujqësore.

Si kryetar i komunës do të vazhdoj të jem afër jush në përkrahje të zhvillimit të bizneseve tuaja familjare.

Bashkë!