LSDM nuk do ta mbështesë interpelancën e opozitës ndaj Talat Xhaferit

Shpërndaje

Interpelanca ndaj kreut të Kuvendit Talat Xhaferi nuk do ta ketë as votën e deputetëve të LSDM-së, edhe pse nga kjo parti, pajtohen se Xhaferi e ka shkelur Kushtetutën me fjalimin e tij në gjuhën shqipe në Parlamentin Evropian.

“Të gjithë personat zyrtar të cilët përfaqësojnë institucionet, jashtë vendit duhet ta përdorin gjuhën maqedonase si gjuhë të vetme zyrtare jashtë kufijve të vendit. LSDM-ja nuk do ta mbështesë interpelancën kundër kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi për disa arsye. Njëra prej tyre është që interpelanca është jokushtetuese sepse në të nuk përdoret emri kushtetues i shtetit kurse e dyta është që LSDM-ja mendon se në periudhën e krizës dhe në përgjithësi, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka treguar performancë të jashtëzakonshme në drejtimin e Kuvendit”, deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.

Interpelanca u dorëzua nga deputetët e OBRM-PDUKM-së dhe “Të Majtës” të cilët akuzuan kryeparlamentarin për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve pasi u drejtua në gjuhën shqipe në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Si arsye për këtë interpelanca radhiten edhe akuzat për mosrespektim e rendit dhe Rregullores në menaxhimin me ligjvënësin.

Por, kjo nismë, për veç që nuk do ta ketë mbështetjen e deputetëve të BDI-së, nuk do ta ketë as mbështetjen e deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Këto paralajmërime tregojnë se miratimi i saj do të jetë i pamundur.