“Të mos shndërrohemi në karikaturë…”/ Rama kritikon BE-në në Samitin e Berlinit

Shpërndaje

Këtë të hënë është zhvilluar përmes një video konference takimi i fundit i procesit te berlinit, organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Gjatë këtij samiti ka folur edhe kryeministri Edi Rama, i cili nuk ka kursyer kritikat te ashpra ndaj Bashkimit Evropian. Sipas kreut të qeverisë, blloku po shuan flakën e shpresës te e ardhmja.

“Është e trishtë dhe të gjithë e dinë që ndërkohë procesi i integrimit europian të të gjithë rajonit në BE, që dikur shihej dhe tregohej si rruga e duhur për të nënshtruar nacionalizmat ballkanikë, është shndërruar tanimë në një proces që shtypet nga nacionalizmat e BE-së.Ja që, herë aty e herë këtu, nacionalizmat në BE po e ndërlikojnë shumë rrugëtimin tonë europian e po luajnë shumë rolin e kundërt me të. Megjithatë, siç thoshte edhe legjendari Donald Trump, ‘Është kjo që është’, kësisoj na duhet të ecim përpara me atë çka kemi.”

Vendet e Ballkanit Perendimor, sipas Ramës, nuk do të pranojnë të kthehen në karikaturë të Bashkimit Evropian apo viktima të vetos së vendeve anëtare të saj.

“Ndërkohë që ecim më shpejt, duhet të shmangim kurthin që të shndërrohemi në një karikaturë të Bashkimit Europian, që të bëhemi viktima të vetove të ndërsjella apo të nevojës për konsensus! Kjo nënkupton se tashmë, objektivat i kemi shumë të qarta.”

Rajoni nuk është shumë optimiste për planin ekonomik te bllokut evropian, pasi perfitimet janë shumë të pakta.

“Ne nuk kemi iluzionin se të gjitha këto do të na shpëtojnë nga hendeku shumë, shumë i madh, midis nesh dhe Bashkimit Europian, pasi, sa për t’ju dhënë vetëm një shifër, në Planin e Bashkimit Europian 2021-2027, Ballkani Perëndimor do të marrë 507 euro për frymë. Pa bërë krahasime me të tjerët, por vetëm duke u krahasuar me Kroacinë, ajo do të marrë 5195 euro, natyrisht të mirëmerituara, për frymë; por ja që është kështu si është.”

Edi Rama vuri në dukje se Ballkani Perendimor do të gjejë alternativa për të zhvilluar vendet e tyre sa me shpejt, teksa deklaroi se nuk do të presin asnjërin.

Ndërkohë, në një konferencë për mediat, në përfundim të samitit në Berlin, kancelarja gjermane vlerësoi disa përparime që janë bërë gjatë kësaj periudhe.

“Ne kemi hapur një numër të madh kapitujsh, kemi rindërtuar procesin e zgjerimit. Për shumë vende të Ballkanit Perëndimor shpejtësia është shumë e ngadalshme, por edhe Bashkimi Evropian ka pasur shumë rezerva. Këto rezerva kanë qenë të drejta, edhe pse nganjëherë palët e prekura nuk i kanë parë si të drejta. Është bërë shumë, por ka edhe shumë për t’u bërë në drejtim të korrupsionit. Kur shoh se si po emërohen gjyqtarët e rinj, për shembull, me procesin e Vettingut në Shqipëri, atëherë shoh se po bëhen përparime pararendëse të qendruehme.”

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, gjate samitti theksoi se prioriteti i procesit mbetet përshpejtimi i zgjerimit i të gjithë rajonit. Edhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi ,vuri në dukje se për BE është thelbësore që të sjellë një mundësi për gjithë Ballkanin Perendimor.