Medieve ju ndalohet hyrja në seancën e rrëzimit të Qeverisë, kjo është arsyeja

Shpërndaje

Në bazë të vendimit të Kryesisë së Kuvendit, të datës 24 mars 2020, për të vënë në dispozicion të deputetëve të gjithë hapësirën e sallës plenare të Kuvendit, përfshirë edhe ballkonin, Kuvendi i Kosovës ka shprehur keqardhje të njoftojë mediat se prezenca e tyre në seancën plenare të datës 25 mars 2020, do të jetë e pamundur.

Kësisoj, seanca do të transmetohet në tri platforma.

“Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ju njoftojmë se Kuvendi do të ofrojë linkun e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj seance, nëpërmjet: Ueb faqes së Kuvendit, Kanalit zyrtar të Kuvendit në Youtube, si dhe RTK-së, si medium publik”, thuhet në njoftim.

Pas një vrulli të reagimeve, me gjendjen nën masa kufizuese për shkak të coronavirusit, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në ora 11:00 për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë, në ditën e 52-të të kësaj të fundit në pushtet.

Në sallën plenare të Kuvendit deputetët pritet të zënë vend në të gjitha hapësirat, përfshirë ato të mysafirëve e të mediave, në përpjekje për distancë sociale, si masë parandaluese ndaj virusit Covid – 19.

Përkundër presionit qytetar e ndërkombëtar që një gjë e tillë të mos ndodhë në këto rrethana, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur mëse e vendosur që ta çojë deri në fund qëllimin e saj për ta rrëzuar ekzekutivin në krye me Albin Kurtin, pjesë e së cilës është edhe vet, për më shumë se një muaj e gjysmë.