Dy vjet pas Prespës – Maqedonia e Veriut anëtare e NATO-s dhe me rrugë të hapur për BE

Shpërndaje

Pas Prespës askush nuk mund të kontestojë se në Maqedoninë e Veriut jetojnë maqedonas, të cilët flasin gjuhën maqedonase, është porosia që para do kohë e dërgoi negociatori në thuajse kontestin tredekadësh për emrin, Metju Nimic, i cili sipas ndonjë rastësie sot kremton ditëlindjen, më 17 qershor, ditën kur dy vite më parë në Nivici të Liqenit të Ohrit u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, me të cilën iu dha fund mosmarrëveshjeve mes Athinës dhe Shkupit.

– Me Marrëveshjen e Prespës u përmbyll identiteti maqedonas i qytetarëve, ndërsa liderët me vetëbesim mund ta bindnin popullin e tyre se është i njohur si maqedonas, se ata e arritën qëllimin kryesor të tyre në bisedimet, gjegjësisht, njohjen e identitetit të tyre kombëtar, theksoi ish-përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në analizën e hollësishme, të publikuar në prill për “Nationalities Papers”, revistë akademike që e publikon Kembrixh Juniverziti për Asociacionin për studime të nacionaliteteve.

Në vendbanimin e vogël Nivici në anën greke të Liqenit të Prespës saktësisht dy vite më parë shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov dhe ish-ministri i Jashtëm grek Nikos Koxijas i vendosën nënshkrimet e tyre në Marrëveshjen e Prespës.

Me zgjidhjen e kontestit me Greqinë u zhbllokuan proceset integruese të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Maqedonia në përputhje me marrëveshjen u riemërtua në Republika e Maqedonisë së Veriut, nënshtetësia u bë maqedonase/ shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa gjuha maqedonase.

Në përputhje me Marrëveshjen, Greqia e para e ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, ndërsa vendi më 30 mars, siç edhe ishte premtuar u bë anëtarja e 30-të e Aleancës. Në ceremoninë solemne me ngritjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut, më 30 mars në selinë e NATO-s në Bruksel u zyrtarizua aderimi në Aleancën Veriatlantike.

U hap edhe rruga për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas 15 viteve status të kandidatit dhe me mbi dhjetë rekomandime të njëpasnjëshme të KE-së për çeljen e bisedimeve, Këshilli Evropian më 26 mars të këtij viti mori vendim për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Tani vendi është në pritje të kornizës së bisedimeve, e cila sipas paralajmërimeve të diplomatëve evropianë duhet të prezantohet në disa ditët e ardhshme nga BE-ja, ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare pritet këtë vjeshtë.

Marrëveshje nga Nivici

Marrëveshja përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 dhe 845 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për pushimin e vlefshmërisë së Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik mes palëve është titulli zyrtar i Marrëveshjes.

Dimitrovi dhe Koxiasit në ceremoninë solemne në Psarades ose Nivici më 17 qershor të vitit 2018 i vendosën nënshkrimet e tyre në Marrëveshjen, në prani të kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, ndërmjetësuesit Metju Nimic, ish-eurokomisarit për Zgjerim Johanes Han, ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini dhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të të dyja vendeve.

Ata përgjatë gjithë procesit të arritjes së kompromisit, ndërsa edhe pas nënshkrimit përpiqen të tregojnë se ajo që është kontraktuar është në favor të të dyja shteteve. Dimitrovi dhe Koxijasi ishin arkitektët e Marrëveshjes, i harmonizonin qëndrimet, veçanërisht pasi që bisedimet u ngritën në nivel të shefave të diplomacive.

Baza e Marrëveshjes është ajo se në të në mënyrë miqësore dhe të saktës është përcaktuar se si Greqia e interpreton termin “Maqedoni” dhe “maqedonas” dhe si ne për ne e interpretojmë termin Maqedoni dhe maqedonas.

Me nenin 7 bëhet një dallim i qartë se termi Maqedoni dhe maqedonas në Greqi e shënon Pjesën helene të historisë. Është përcaktuar se Maqedoni dhe maqedonas në kontekstin tonë i reflekton territorin tonë, gjuhën tonë, popull me të gjitha atributet, histori, kulturë dhe trashëgimi – të ndryshme nga ato në Greqi.

– Zgjidhja e kontestit për emrin mes Greqisë dhe fqinjit të saj verior krijoi një mundësi të re të rëndësishme për marrëdhënie konstruktive dhe Ballkan më të sigurt. Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar në bregun e Liqenit të Prespës, që i ndanë dy shtetet është zgjidhje për kontestin dhe bazë për fillim të ri, theksoi kohë më parë Nimici.

Duke theksuar se Marrëveshja është përshëndetur nga metropolet botërore si hap i madh për rajonin, theksoi se është me rëndësi që të dallohet se Marrëveshja e Prespës nuk ka pasur mbështetje të gjerë në të dyja vendet, siç shkroi “mezi i ka marrë votat e nevojshme parlamentare dhe votat e qytetarëve edhe në Greqi edhe në fqinjin e saj verior“.

Qëndrimet e ngurta të Micotakisit u zbutën pas ardhjes në pushtet, opozita te ne paralajmëron pezullimin e asaj që është kontraktuar

Opozitat në të dyja vendet në kohën kur miratohej marrëveshja reaguan negativisht ndal asaj që është kontraktuar. Demokracia e Re kur ishte në opozitë në periudhën parazgjedhore në Greqi doli me tezën se Marrëveshja është në interes të fqinjit verior grek, se Ciprasi e ka shitur kombin dhe në fakt ka bërë pazare politike për të mbetur në pushtet.

Lideri i Demokracisë së Re Kirjakos Micotakis kur ishte në opozitë thoshte – partia e tij nuk do ta njoh Marrëveshjen e Prespës. Sipas tij, Ciprasi me Marrëveshjen ka hequr dorë nga nacionaliteti dhe gjuha maqedonase. Por, pas ardhjes në pushtet u qetësuan edhe epshet, ndërsa Marrëveshja u bë pjesë e politikës së Micotakisit.

Demokracia e Re pas marrjes së pushtetit, zbuti pozicionin, duke mbështetur qëndrimin se vendi ka vazhdimësi. Marrëveshja tashmë është nënshkruar dhe ratifikuar, ndërsa Greqia do ta respektojë ashtu siç kërkon edhe nga të tjerët që t’i përmbahen së drejtës ndërkombëtare (politikës në raport me Turqinë). Micotakisi në fillim të muajit të kaluar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor porositi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë rruga e vetme për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe i bëri thirrje Qeverisë sonë që t’i respektojë obligimet që rezultojnë nga Marrëveshja e Prespës.

Ndërsa shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov në intervistën e paradokohshme për MIA-n tha se Marrëveshja është duke u zbatuar, ndërsa me Qeverinë e Micotakisit kanë arritur të ndërtojnë besim, të kenë marrëdhënie të mirëkuptimit dhe të jenë të orientuar drejt mundësive dhe drejt së ardhmes.

VMRO-DPMNE-ja opozitare te ne plason qëndrimin se marrëveshja është kapitulluese për Maqedoninë. VMRO-DPMNE-ja në disa raste kërkoi dorëheqjen e shefit të diplomacisë Nikolla Dimitrov, i cili sipas tyre, e ka tradhtuar shtetin e tij, duke vënë nënshkrimin në atë që është kontraktuar. Hristijan Mickoski përsëriste se Marrëveshja është e dëmshme për shtetin, humbet identiteti i Maqedonisë, copëtohet vendi, shitet historia, varroset vullneti i qytetarëve, i shprehur në referendumin e 30 shtatorit. Thoshte edhe se nëse vjen në pushtet me shumicë prej dy të tretave do ta anulojë Marrëveshjen e Prespës.

Nënshkruesi i saj, shefi i diplomacisë Dimitrov, nga ana tjetër, në intervistën për MIA-n theksoi se marrëveshja është pjesë e sistemit tonë juridik vendor, ajo është pjesë e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa në aspektin politik është marrëveshje, që nga të gjitha palët në botën demokratike është theksuar si sukses i jashtëzakonshëm diplomatik.

Rruga e gjatë deri te zgjidhja

Bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë u përtëritën nga fundi i vitit 2017, pas ngecjes thuajse tredekadëshe. Kontesti zgjati 27 vite. Pas përtëritjes në fillim ndërmjetësuese i KB-ve, Nimic kishte takime me negociatorët Vasilakis Ademantios dhe Vasko Naumovski, e më pas bisedimet u ngritën në nivel më të lartë, në nivel të shefave të diplomacive.

Zaevi dhe Ciprasi e realizuan takimin e parë të drejtpërdrejtë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku janë bërë tërheqjet e para. Maqedonia i riemërtoi aeroportin dhe autostradën, ndërsa Greqia e zhbllokoi fazën e dytë të vendit në procesin e Stabilizimit dhe asociacionit me BE-në dhe i mundësoi Maqedonisë që të bëhet anëtare e Iniciativës së Adriatikut-Jonit.

Kyç në bisedimet ishte takimi Zaev-Cipras në margjinat e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Sofje gjatë presidencës bullgare të Bashkimit. Vetë takimi i dy kryeministrave sikur ishte ngjarje qendrore e Samitit. Zaevi dhe Ciprasi gjatë bisedës telefonike më 12 qershor të vitit 2018 e konfirmuan atë që është kontraktuar, e më pas e informuan opinionin në vendet e tyre.

Kontesti për emrin filloi menjëherë pas mëvetësimit të Maqedonisë dhe pranimit të saj në KB, më 8 prill të vitit 1993. Për shkak të kundërshtimit dhe presioneve nga Greqia, e cila nuk e pranonte emrin kushtetues, anëtarësimi në KB ishte nën referencën e përkohshme Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Strategjia e bisedimeve, siç bëri të ditur kohë më parë Nimici, ka qenë që t’i jepet fund dallimit të ashpër në perceptimet për kontestin, të identifikohen perceptimet që shpijnë deri te dominimi i parimit të aversionit të humbjes te të dyja palët dhe të bëhet tentim për rishqyrtimin e çështjes.

Shprehet se kthesa në tentimet për të zgjidhur kontestin ka ndodhur nga fundi i vitit 2000, kur Athina e ka pranuar idenë se emri që e përfshin Maqedoninë do të jetë i pranueshëm nëse në vete përmban përcaktim përkatës gjeografik. Kur kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev në vitin 2017, shton Nimici, ka bërë të ditur se diçka e këtillë mund të jetë e pranueshme edhe për Shkupin, duke marrë parasysh zgjidhjen e të gjitha çështjeve të tjera, duke përfshirë edhe mbrojtjen e identitetit të popullit maqedonas – ka filluar të lindë baza e marrëveshjes./MIA