Borko Stefanoviq: Në Bruksel s’ka bisedime teknike – po diskutohet marrëveshja finale
Borko Stefanoviq: Vuçiq dhe Thaçi po negociojnë statusin e Kosovës
Ish negociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën në Bruksel, Borko Stefanoviq, ka deklaruar se tani më nuk po bëhet dialog teknik dhe se në Bruksel po zhvillohen negociata për marrëveshjen/statusin final, njofton Insajderi.
Stefanoviq ka deklaruar për televizionin N1 se çështjet teknike që lidhen jetën e njerëzve janë negociuar më parë, në kohën sa ishte ai negociator.
Politikani serb ka shtuar se sa ai mbante pozitën e negociatorit nuk kishte lejuar që çështja e sovranitetit të ishte pjesë e negociatave, megjithëse pala kosovare vazhdimisht insistonte në këtë.
“Negociatorët e sotëm po negociojnë nëse Kosova do të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, nëse Kosova është shtet, nëse do të duhet të paguajmë dëmet e luftës, nëse do t’u kërkojmë falje” i tha Stefanoviq N1.
Stefanoviq vazhdoi duke thënë se përkundër se nuk është parë një agjendë e caktuar, e ka konfirmuar edhe ish-këshilltari amerikan, John Bolton, se presidentët, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, kanë diskutuar për shkëmbim territoresh për vite me radhë.
“Nëse nuk është ky negocim për statusin, unë nuk e di se çfarë është,” tha Stefanoviq.