Albin Kurti mban fjalim në Universitetin e Stambollit, në të cilin rektor i parë ishte Hoxhë Hasan Tahsini

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vazhduar aktivitetet e tij në vizitën që është duke e bërë në Turqi, përcjell Gazeta Blic.Gjatë ditës së sotme, Kurti është takuar me studentët shqiptarë në Universitetin e Stambollit, ku rektor i parë para një shekulli e gjysmë ishte Hoxhë Hasan Tahsini, profesor i fizikës, astronomisë dhe psikologjisë, e me prejardhje nga Konispoli.Kurti ka treguar për temën e fjalimit të tij, teksa para studentëve ka folur edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Delegacioni ynë sot mbajti tubim me studentët shqiptarë në Universitetin e Stambollit, ku rektor i parë para një shekulli e gjysmë ishte Hoxhë Hasan Tahsini, profesor i fizikës, astronomisë dhe psikologjisë, e me prejardhje nga Konispoli.Në fjalën time hyrëse theksova se për shtetndërtim demokratik dhe zhvillim ekonomik na duhet dija dhe patriotizmi i mërgatës. Elaborova qysh alternativa qeverisëse e VETËVENDOSJE!-s zotohet se rritjen ekonomike do ta shoqërojë me drejtësi sociale, se investimet kapitale do të jenë të tilla që gjenerojnë punësim, se fondi sovran do t’i bëjë fitimprurëse ndërmarrjet publike kurse banka zhvillimore do t’u jap hov rritjes së bizneseve private.

Më pas, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, tregoi për të arriturat dhe sfidat në pushtetin lokal gjatë kësaj periudhe prej një viti e gjysmë prej kur është bërë ndryshimi i qeverisjes aty.Interesimi i studentëve pjesëmarrës që vinin nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë në Ballkan ishte i madh dhe u shpreh përmes pyetjeve e komenteve të shumta. Dega e VETËVENDOSJE!-s në Shqipëri, shkëmbimi territorial, iniciativa franko-gjermane, programi i Lëvizjes për arsimin, marrëdhëniet ekonomike me Turqinë, gjendja në Maqedoninë e Veriut, krimet e Serbisë gjatë luftës, korrupsioni i politikanëve shqiptarë gjithandej kufijve që e ndajnë kombin tonë në shtete të ndryshme, mundësia për punë dhe përvojë praktike në institucionet dhe ndërmarrjet në Kosovë, ishin vetëm disa prej çështjeve që u ngritën dhe temave që u diskutuan.