Incidenti i Kalasë dhe prishja e bizneseve në “bombat” e “EL ÇEKËS” (Video)

Shpërndaje

Disa “bomba” të reja kanë dalë përsëri në faqen e fejsbukut të “El Chekas”, dhe supozohet se bisedojnë funksionarët e lartë të BDI-së, Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, Sadulla Duraku, Artan Grubi dhe disa të tjerë, raporton TV SHENJA.

https://www.youtube.com/watch?v=vtI9QR6G_PM&feature=youtu.be

Pasi dy ditë me radhë lëshoheshin biseda të përgjuara lidhur me rastin “Monstra”, që nxitën edhe pëplasje mes prokurores Fatime Fetai dhe Sheqerim Ahmetit i njohur si “EL Çeka”, tani kanë filluar bisedat në të cilat flitet për sabotimin e biznesmenëve shqiptarë nga politika dhe shkatërrimin e bizneseve të tyre qëllimisht.

Por në këto biseda flitet edhe për rastin e kishës në Kalanë e Shkupit, kur organizoheshin protesta nga lëvizja qytetare “Zgjohu” kundër ndërtimit, e drejtuar nga ish aktivisti Artan Grubi, që sot është krahu i djathtë i politikanit Ali Ahmeti.

Grubi dhe Ahmeti duket se kanë qenë të koordinuar për intensitetin që duhej të merrnin protestat qytetare në të cilat ndodhi edhe përleshje mes dy grupeve të tifozëve shqiptarë dhe maqedonas, dhe policisë.

Në një nga përgjimet flitet edhe për protestat në Gostivar pas vrasjes së dy të rinjve shqiptar nga një polic maqedonas.

Në profilin e “El Chekas” përveç “bombave” që po publikohen vazhdimisht, publikohen edhe qëndrime të EL Çekas kundër funksionarëve të BDI-së dhe ka një mori akuzash për krime dhe korrupsion.

Sheqerim Ahmeti tashmë një kohë të gjatë po publikon biseda të përgjuara të funksionarëve të BDI-së, por premton se do të publikojë edhe biseda të tjera, derisa të inicohet hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës, dhe derisa BDI të përjashtohet nga Qeveria.

Pas deklaratës së fundit të kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti për “bombat” para më shumë se dy javësh, që tha se nuk ia kërcënojnë aspak pozitën në pushtet, BDI më nuk ka dalë me asnjë koment lidhur me aktin e publikimit të bombave ose përmbajtjen e tyre.

Ditë më parë PSP-ja komentoi se ka mijëra biseda për raste të ndryshme, përfshirë edhe ato të rastit “Monstra” por nuk ka konfirmuar asnjëherë nëse këto biseda që po qarkullojnë në internet, janë të njëjat me ato që i ka marrë Prokuroria Speciale nga Zoran Zaevi.

Përkundër sabotimeve të ndryshme në internet, pasi El Çekas po i mbyllen vazhdimisht profilet, ndërsa të gjithë të tjerëve që i shpërndajnë bombat u fshihen nga muri, “bombat” po e gjejnë rrugën deri tek publiku në forma në ndryshme. Nëpërmjet portaleve të regjistruara jashtë shtetit dhe nëpër faqe fejsbuku të portaleve të hapura apostafat për nevojat e aksionit gueril kundër BBI-së. Ferikan Iljazi Arifi/Shenja/