Majlinda pas fitores: Thjesht desha të tregoj se “Ne jemi këtu. Këtu është Kosova”

Shpërndaje

Majlinda Kelmendi, e cila para disa ditësh rrëmbeu Medaljen e Artë në Lojërat Evropiane në Minsk të Bjellorusisë ka treguar për emocionet e asaj fitore. Në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës, Kelmendi ka treguar se me plot krenari dhe dashuri për flamurin kosovar, e ka shfaqur po atë flamur pas fitores.

“Në momentin e fitores thjesht jam kthyer kah ajo pjesë e publikut shqiptare, ajo pjesë mjaft e vogël që janë mundu ndoshta me krejt forcat me u shty me tërë atë publik duke më përkrahur”. “Mendoj që si çdo shqiptar i Kosovës jam shumë krenare për vendin që e përfaqësoj. Krejt e dinë që kam refuzuar oferta shumë serioze për me e përfaqësu Kosovën. Jam shumë e lidhur me Kosovën dhe me flamurin tonë”.

“Unë kam shumë emocione për këtë flamur. Atë ditë kur e kam fituar garën, kam bërë me gisht kah flamuri. Thjesht kam dashur të tregoj se ‘NE JEMI KËTU. KËTU ËSHTË KOSOVA’”. Ajo tha se nuk e ka bërë një gjë të tillë me ndonjë tendencë provokimi, mirëpo ka shkuar dhe ka fituar duke e përfaqësuar Kosovën dhe e ka shfaqur një gjë të tillë./klankosova/