Regjistrimi i popullsisë në prag të dështimit?! (Video)

Shpërndaje

Në ditën e katërt të regjistrimit provë të popullsisë që po zhvillohet në 13 komuna të vendit, Enti i Statistikave ka hasur në probleme teknike gjatë anketimit përmes softuerëve kompjuterik. Megjithëse zëvendësdrejtori Zirap Ademi thotë se këto pengesa do të largohen me qëllim që mos të përsëritën gjatë procesit të regjistrimit vitin e ardhshëm. Ademi thotë se edhe në aspektin organizativ nëse nuk do të mjaftojnë 5 mijë regjistrues, në mot do të angazhohen kuadro shtesë. Të dhënat e deritanishme flasin se rreth 35% e popullsisë që kanë bërë migrim të brendshëm nuk kanë ndryshuar adresat e banimit në dokumentet e tyre personale.

 “Në regjistrimin on-line ne evidentojmë personat në vendin, të cilin e kanë vend të zakonshëm qëndrimi, për shkak se regjistrimi është proces statistikor. Nëse një person jeton në Komunën Qendër, por adresën zyrtare e ka në Gostivar, në rezultate ky person llogaritet banor i Qendrës”, tha Zirap Ademi, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikave.

Në regjistrimin e popullsisë që parashihet të mbahet në prill të vitit të ardhshëm, përveç banorëve rezident, shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë në diasporë do të mund të regjistrohen nga familjarët përmes numrit amë ose personalisht në formë elektronike. Pikërisht, për këtë çështje kundërshton VMRO-DPMNE, e cila kërcënon me thirrje për bojkot të regjistrimit të popullsisë. Nga partia e Mickoskit thonë se nëse nuk përfshihen në procesin e përpilimit të ligjit, këtë proces do ta kundërshtojnë edhe në disa aspekte të tjera.

“VMRO DPMNE disa herë ka theksuar se përderisa nuk zbatohet proces sipas standardeve të Evropiane, ekziston mundësia që mos të merr pjesë në regjistrim të popullsisë. Ai regjistrim më nuk do të ishte operacion statistikorë që do të mund të jepte të dhëna relevante për çfarë do lloj krijimi të politikave të mëtejme, por do të ishte regjistrim i pazareve politike për të mbajtur Zoran Zaevin në pushtet në cilën do formë të mundshme”, pohoi Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga Enti i Statistikave theksojnë se nëse së paku 100 mijë shtetas bojkotojnë procesin, rezultatet e regjistrimit nuk mund të merren si relevante. Sipas dispozitave ligjore, të gjithë qytetarët të cilët nuk do të pranojnë të anketohen mund të gjobiten nga 200-400 euro për person. Përderisa Statistika teston anketimin, Propozim-Ligji për regjistrimin e popullsisë vazhdon të jetë në Komisionin amë në Kuvend. Seanca e parë u shty, ndërsa e radhës pritet të mbahet këtë javë.

/Alsat-M/