Thaçi ngre dolli për Clinton dhe Albright

Shpërndaje

Presidenti Hashim Thaçi ka ngritur një dolli për ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright në darkën që është shtruar për nder të tyre.

Në fotografitë që ai ka postuar në Facebook shihet se në këtë darkë po marrin pjesë liderët shtetërorë, ish-presidentja e vendit Atifete Jahjaga, ambasadori amerikan Philip Kosnett dhe ambasadorë të vendeve të tjera në Kosovë, ministra si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës.

“Një dolli për miqtë e mëdhenj të popullit tonë, miqtë e Republikës së Kosovës, për presidentin Clinton, sekretaren Albright dhe miqtë tjerë në këtë darkë të përbashkët. Qofshi përjetë të bekuar!”, ka shkruar i pari i vendit.

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright po qëndrojnë në Kosovë në nder të 20 vjetorit të çlirimit ku edhe pritet që nesër të marrin pjesë në ceremoninë e organizuar për këtë ditë.