BDI do të kërkojë që Ligji i Prokurorisë të miratohet me Badenter

Shpërndaje

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim deklarojnë se e mbështesin iniciativën për themelimin e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të Nivelit të lartë, e cila kaloi në seancën e fundit të Qeverisë. Mirëpo për shkak të afateve shumë të ngushta kohore, sipas zëvendës kryeministrit për çështje evropiane Bujar Osmani dhe duke mos dashur që të keqkuptohen se po e vonojnë këtë procedurë kanë lënë të hapur një mundësi, që ligjit t’i shtohen edhe dy përcaktime. Njëra është që ai të harmonizohet me ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe tjetra është çështja e badenterit. Kjo sipas tij do të bëhet ose përmes amendamenteve ose ligji të kthehet në Qeveri pastaj të ridërgohet në Kuvend, varësisht cili opsion do të përshpejtoj miratimin e ligjit.

Bujar Osmani, z/v kryeministër për çështje evropiane

“Mendojmë se ligji i cili kaloi në Qeveri, është bazë e mirë dhe një drejtim i duhur për të zgjedhur në mënyrë institucionale, luftën kundër korrupsionit. Mirëpo përshkak të afatit të ngushtë kohor, nuk deshëm të lëmë porosi të gabuar eventualisht se duam të vonojmë këtë ligj dhe prandaj e lëshuam në Qeveri, mirëpo lamë të hapur mundësinë që ose deputete e BDI-së ditëve në vijim ose nëse shërbimet do vlerësojmë se është më praktike ligji përsëri të kthehet në Qeveri, që të shtohen edhe dy përcaktime në ligj. Një është çështje e harmonizimit me ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe dy, çështje e badenterit në përzgjedhjen e kuadrove në prokurori”.

Kurse bashkëpartiaku i tij, deputeti Artan Grubi në një prononcim për media ka deklaruar që shefi i Prokurorisë së re për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë të zgjidhet me Badenter ose shumicë dyfishtë, edhe pse me propozim-ligjin e ri që e ka përgatitur qeveria është e parashikuar që kjo procedurë të shkojë nëpërmjet Këshillit për prokurorë, dhe jo nëpërmjet kuvendit.

Artan Grubi, BDI

“Zgjedhja e prokurorit special publik është bërë me dy të tretat ose të ashtuquajtur badenter. Ashtu që duhet edhe në prokurorinë e re, e cila në fakt zëvendësohet ose funksionin me Prokurorinë Speciale, gjithashtu të bëhet me dy të tretat e cila do të sjellë legjitimitet për personin e cili do të drejtor këtë prokurori të re. Do të ketë legjitimitetin e të gjithë qytetarëve”

Para disa ditës lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela tha se ka disa vërejtje mbi propozimin qeveritar të ligjit për prokurori dhe për të njejtat vërejtje do të reagojnë përmes amendamenteve. Kërkesat e tyre janë që materialet e përgjuara të shfrytëzohen si prova edhe në prokurorinë e re që e pason PSP-në si dhe në Këshillin e prokurorëve publikë të mos lejohet të ketë anëtarë partiakë, ish funksionarë shtetërorë të cilët kanë qenë anëtarë të ndonjë partie, si dhe prokurori publik të jetë nga jashtë.

Kryeministri Zoran Zaev gjatë prezantimit të ligjit të ri për Prokurorinë Publike propozoi që prokurorja Villma Ruskovska të jetë në krye të Prokurorisë së re që do të zëvendësojë Prokurorinë Speciale Publike. Pas reagimeve të opozitës dhe opinionit, Zaev tha se nuk imponon zgjidhje politike, por propozimin e arsyetoi me faktin se Ruskovska tani është krye prokurore në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe pas shkrirjes së kësaj prokurorie me PSP-në asaj i takon të udhëheq me prokurorinë e re pasi ende ka mandate për kryeprokurore. Ndërsa lideri I VMRO-së, Hristijan Mickoski ka propozuar ish kreun e gjykatës penale Vladimir Pançevskin për në krye të këtij institucioni. Ai u shkarkuar nga detyra për shkak të keqpërdorimeve të sistemit AKMIS, shpërndarjes së lëndëve nëpër gjykatës./shenja