Çeliku për ngjarjet në Gostivar: Sot mu kujtuan spiunat shqiptarë, të atëhershëm dhe të tanishëm!

Shpërndaje

Shkruan, Gjyla Çeliku 9 Korrik 1997 Dita e Tragjedisë së Gostivarit

Maqedonia “multietnike”, 6 vjet pas pavarësisë së shtetit, masakroi qytetarë të pafajshëm shqiptarë në qytetin e Gostivarit, 3 të vrarë, 135 të plagosur, qindra qytetarë të arrestuar, mes të cilëve edhe kryetari i Komunës së Gostivarit dhe udhëheqësit e Komunës së Tetovës. Tragjedi me nacionalizëm, urrejtje, mllef dhe viktima.
Shkas i dhunës policoro-ushtarake ishte flamuri kombëtar shqiptar që ishte vendosur përpara ndërtesave komunale në Gostivar dhe Tetovë si dhe nëpër komunat tjera ku dominonin shqiptarët. Organet lokale të komunave, sollën vendimin për përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar shqiptar para objekteve të komunave. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë të udhëhequr nga Cërvenkovski. Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar”, edhe pse shqiptarët janë autoktoniteti i Maqedonisë, vlerë kjo që tremb dhe çmend artificialen.
Sot në këtë ditë jo vetëm që m’u kujtua historia e LSDM-së, por edhe e spiunave tanë shqiptarë të atëhershëm dhe të sotshëm.
Qëllimi i sistemeve dhe rrymave të ndryshme ka qenë vrasja, zhdukja dhe shpërngulja e shqiptarëve, i cili realizohet për fat të keq edhe sot me shpërnguljet masive të shqiptarëve. Asnjë sistem pushtimi nuk ka mundur të ishte dhe të jetë i suksesshëm pa ndihmën e shqiptarëve tanë të shitur. Ju që ndjeni dhimbje, kujtoni me lotët tuaj 9 korrikun dhe ditët në vijim me “shpërngulje masive”, ju që na sollët në këtë derexhe do të shpërbleheni me “ditët e zeza”, dhuratë nga populli. Populli jonë di të vuaj, të flijohet, por ama lufton deri në fund dhe me kanun të shiturit i dënon me dorën e vet.
Unë ju kujtoj me dhimbje të gjithëve që u flijuat në Tragjedinë e 9 Korrikut në Gostivar dhe të gjithë familjarët që ende jetojnë me dhimbje! Përgjërohem për shpirtin e pastër kombëtar, ndaj vazhdoni edhe sot të qëndroni krenarë!