Hagë, Ramush Haradinaj mbrohet me heshtje (Video)

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës në dorëheqje Ramush Haradinaj ka përfunduar intervistimin nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai ka zgjedhur të mos përgjigjet në asnjë nga pyetjet, por me pjesëmarrjen e tij ka kryer obligimin ligjor që t’i përgjigjet ftesë së Speciales, si i dyshuar. Haradinaj pas intervistimit ka deklaruar se do kthehet në Kosovë dhe është i gatshëm për zgjedhjet e reja, dhe se do e respekton votën e shumicës, pavarësisht për kë shkon ajo. Haradinaj tha se nuk e di pse është i dyshuar, por e di se është ftuar për shkak të rolit të tij në UÇK.

Jam paraqitur si i dyshuar për të kryer obligimin ligjor në bazë të një ftesë të dhoma të specializuara. Kam pranuar këshillën ligjore që mos me u përgjigjem fare në pyetje. Unë kam kryer obligimet e mia ndaj gjykatës. Janë procedura ligjore, jo për me fsheh diçka, por nuk ka ndonjë përmbajtje që jam njoftuar me diçka, nuk e di pse jam i dyshuar. Roli në UÇK, por jo diçka në përmbajtje- deklaroi RAMUSH HARADINAJ.

Haradinaj tha se prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë obligim tjetër ndaj tij, andaj tha se do kthehet në Kosovë i gatshëm për të kërkuar votat e qytetarëve.

Jam i gatshëm për të gjitha, Qoftë nëse na fton kryeparlamentari për shpërbërjen e parlamentit qoftë presidenti për të caktuar datën e zgjedhjeve. Nuk janë zhvillime të thjeshta, jam detyruar me dhanë dorëheqje, të shkojmë në zgjedhje. Për fat të mirë ka stabilitet në Kosovë. Besoj se Kosova është e qëndrueshme, nëse populli më jep besimin vazhdoj punën, nëse jo, i uroj sukses kushdo që merr besimin- u përgjigj RAMUSH HARADINAJ.

Në Hagë ishte edhe zëdhënësi politik i ish UÇK-së dhe ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili njëjtë sikurse Haradinaj gjatë intervistimin njëorësh u mbrojt me heshtje. Pak ditë më parë Haradinaj mes lotësh për herë të dytë dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata e Hagës. Ai tha se dorëheqja ishte alternativa e vetme edhe pse e kishte shumë të rëndë një vendim të tillë pasi nuk donte të shkonte në Hagë si kryeministër, por si qytetar i Kosovës./Alsat