Komuna e Kumanovës nuk zbaton dygjuhësinë

Shpërndaje

Gjuha shqipe nuk respektohet në Stacionin e ri të autobusëve në Kumanovë. Mbishkrimi është vetëm në gjuhën maqedonase. Komuna e Kumanovës distancohet nga shkelja ligjore. Thonë se me stacionin e autobusëve menaxhon kompani private, ndërsa kërkojnë të respektohet ligji për përdorimin e gjuhëve.

“Stacioni i autobusëve është nën pronësi private, si investim për të mirën e përgjithshme të qytetarëve. Komuna e Kumanovës nuk ka kompetenca ligjore në të. Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të respektohet nga të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe lokal në Maqedoninë e Veriut”.

Nga kompania “Rule Turs” e cila menaxhon me stacionin e autobusëve në Kumanovë, thonë se për mbishkrimin në gjuhën shqipe vendos ekskluzivisht drejtori i kompanisë. Masar Omeroviç, drejtor i “RuleTurs” tha për Alsat se shërbimet e kompanisë janë thirrur në Ligjin për përdorimin e gjuhëve i cili obligon vetëm institucionet publike, por që do të konsultohet me organet kompetente dhe më pas mbishkrimi do të vendoset edhe në gjuhën shqipe. Omeroviç shtoi se ky veprim nuk ka qenë i qëllimshëm. Në mungesë të Inspektoratit të gjuhëve, Alsat kontaktoi drejtorin e Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ylber Sela i cili shtoi se do të komunikojë më udhëheqësin e kompanisë me qëllim respektimin e ligjit. Stacioni i ri në Kumanovë u hap të hënën që lamë pas.