Drejtësia e kopallave të Zaevit

Shpërndaje

Nga: Alpin Ollogu

Afera korruptive “Boki 13” në të cilën është përfshirë Prokuroria Speciale dhe kreu i kësaj prokurorie Katica Janeva, është shuplaka më e rrëndë dhënë fëtyrës së kryeministrit Zoran Zaev gjatë kësaj qeverisjeje, fëtyrës e cila tregonte kopalla drejtësie, kur të gjitha raportet ndërkombëtare, partitve politike dhe mbarë opinionit shoqëror, shqetësohej dhe jepte alarmin se drejtësia në këtë vend nuk funksionon, se më shumë se dy vite qeverisje, gjykatat dhe prokuroritë vazhdojnë avazin e vjetër si në qeverisjen Gruevski. Por i nderuari kryeministër, përkundrazi, rrotacionin e krerëve të gjykatave, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillave gjyqësor, na i shiste si drejtësi e re, si reformë në drejtësi. Kryeministri jo vetëm që tregonte kopalla në këtë aspekt, por u pa qartë nga gjithë popullata se edhe Prokuroria Speciale u përdor nga kryeministri dhe partia e tij, si mjet shantazhi kundër deputetëve të VMRO-së, me rastin e votimeve në parlament për ndryshimin e emrit të shtetit, dhe jo vetëm kundër deputetëve të VMRO-së, por edhe kunder partive shqiptare si dhe funskionarëve të partnerëve të koalicionit qeverisës, atë të BDI-së, gjithmonë për ti pasur në kontroll të numrave në formimin e qeveriseë dhe përfitimit politik, duke goditur në mënyrë selektive ato që ai dëshironte!

Skandali “Boki 13” e delegjitimoi përfundimisht “shtetin ligjor” të Zaevit. E gjithë Prokuroria Speciale është e gjunjëzuar, pavarësisht shfajësimeve që kanë filluar të bëjnë prokurorët e prokurorisë speciale, për atë se vetëm Katica Janeva na qenka fajtore për procedimin e gabuar të lëndës penale të biznismenit Kamcev, i cili nga dëshmia e përgjimeve ofron mito personave me influencë qeveritare dhe atyre të Prokurorisë Speciale, me shuma të konsiderueshme parash, në favor të çështjes së tij penale. Nuk mund të jetë vetëm Katica Janeva fajtore, fajtorë janë të gjithë prokurorët, dhe veçanërisht prokurorët e lëndës konkrete, të cilët kanë heshtur kur kanë vërejtur se gjërat nuk shkojnë në rregull gjatë procedimit, se nuk paskan përdor mjetet e duhura juridike, apo veprime antiligjore etj. Kush më pak e kush më shumë, afera korruptive “Boki 13” nxori në pah në mënyrë spektakolare atë që flitej në popull, si dhe nga raportet negative ndërkombëtare, se ky sistem i drejtësisë me këta gjykatës dhe prokurorë të cilët nuk kanë kaluar në sitën e vetingut të profesionalizmit dhe integritet personal, nuk mund të ketë drejtësi.

Shuplaka e rrëndë që ju dha kryeministrit dhe partisë së tij, me skandalin në fjalë, duhet ti vetëdijësojë ato, gjithmonë nëse nuk janë të përfshirë drejtëpërdrejt në këtë aferë, ngase, nëse janë përfshirë, kuptohet qe i pret largimi nga postet dhe përballje me drejtësinë. Por nëse nuk ka të përfshirë nga udhëheqja e lartë, duhet që shuplaka ti zgjojë nga hutia dhe humbja e shikimit si kryeministër dhe si partia me e madhe në qeverisje, se reforma në drejtësi nuk mund të bëhet me kalbësira të drejtësisë. Mund të marrësh figura të reja prokurorësh dhe gjykatësish nga gjithë vendi dhe ti vendosesh një emër të bukur insitucionit, si psh Prokuria Speciale, për të luftuar drejtësi, por kur këta figura nuk janë të dëshmuar në punën dhe integriteti e tyre profesional, është e kotë, vetëm mashtron veten ose qëllimshëm i përdor për mjet shantazhi dhe pasurimi të pandershëm. Ndërsa dihet se figurat e drejtësisë mund të dëshmohet vetëm me mekanizmin e vetingut, në këto shtete si Maqedonia e Veriut. Nësë këtë se kupton kryeministri Zaev, mund ti shkojë në disa ligjerata pa pagesë besoj, ligjerata vetëdijësimi, kryeministrit shqiptar Edi Rama, se si ndërtohet shteti ligjor, se çdo të thotë të kesh vizion dhe guxim të ndërtosh sistemin e drejtësisë, pavarësisht vështirësive. Edhe kryeministri Zaev njëkohësisht ti kthejë fjalët mbrapsht, kur deklaronte para disa javesh se nëse bëhët veting në Maqedonine e Veriut, do të duhen të boshatisen gjykatat dhe prokuroritë, pra sipas tij do ishte kollaps (pavaresisht se me atë deklaratë pranon vetë se ka shume të korruptuar në drejtësi, dhe duhet ti mbajmë ne sistem për arsye mos bëhet kollaps). Megjithatë ai përsëri duhet të mësoje nga Kryeministri Rama, se: “më mirë djepi bosh se shejtani brenda.”

Kur tashmë Prokuroria Publike është dëshmuar së është null, kur Prokurori i Pergjithshëm është thjesht kukull, ku gjykatat dhe deri në gjykatën supreme jane të korruptuara nga mitoja e biznesmeneve dhe influenca e njerëzve të pushtetit (që shihet qartë se biznismenë dhe politikanë me influencë, nuk dënohen, pasi blejnë vazhdimisht çështjet penale dhe ato civile), kur Prokuria Speciale është e gjunjëzuar dhe delegjetimuar, atëherë kryeministrit Zaev dhe partisë së tij nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm të pranojë urgjentisht në gjunjëzim e sipër, projektligjin e partnerit të koalicionit qeverisës BDI-së, për veting sa më të shpejtë në gjyqësor. Të pranojë disponimin dhe thirjen e gjithë partive politike shqiptare për veting në drejtësi, bashkë me thirrjen e shumë partive maqedonase, përjashtuar VMRO-në e cila normalisht frikësohet për vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve të saj të blerë me kohë. LSDM-ja të bëjë veting në drejtësi fillimisht, sepse vetingu në polici pa vetingun në gjyqësor është qesharak, është mjet për tu hedhur hy syve të njerezve.

A do të arrijë të mbijetojë kryeministri Zaev deri në nisjen e vetingut urgjent në gjyqësor (se për ta mbaruar duket se nuk ka shancë mbijetimi), pak rëndësi ka, rëndësi ka që ai dhe partia e tij, të kuptojnë njëherë e mirë se nuk mund të ketë drejtësi pa veting në gjyqësor. Duhet ta kuptojë mirë kryeministri se nuk mund të ketë drejtësi në këtë vend pa kaluar vetingun edhe gjykatesit e lëndës së tij – çështjen e ryshfetit, kur ishte në cilësinë e kryetarit të komunës, që u gjykua i pafajshëm. Nëse ai këtë se kupton apo sdo ta kuptojë, atëherë vetëm flet kopalla për reforma në drejtësi, apo gjyqësor jokurruptiv. Gjithsesi, fundi politik i Zaevit duket qartë në horizontin e afërt, prandaj është mirë që krahas ndryshimit të emrit, të bëjë të mirën e madhe të fillimit të reformës së vërtetë në drejtësi, të përkrah projektligjin e vetingut në gjyqësor, të partnerit të koalicionit qeverisës, BDI-së. Kjo pa inate dhe xhelozi politike, sepse drejtësia e vërtetë është ndëshkuese pavarësisht ngjyrës partiake, dhe merituese pavarësisht përkatësisë etnike. Në të kundërtën, aferat korruptive si “Boki 13” do të vazhdojnë haptazi dhe fshehurazi opinionit, pa u ndëshkuar nga ligji. I vetmi që do ndëshkohet do të jetë populli, me varfëri dhe jetë mjerane në të gjitha aspektet.